Lajme

Osmani takohet me presidentin e Islandës, diskutohet për anëtarësimin në Këshillin e Evropës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është pritur sot në takim nga Presidenti i Islandës, Guðni Thorlacius Jóhannesson, në kuadër të një vizite pune me qëllim të avancimit të marrëdhënieve bilaterale.

Në vizitën e parë të një kreu të shtetit të Kosovës në Islandë, Osmani dhe Presidenti Jóhannesson diskutuan për rritjen e bashkëpunimit gjatë presidencës së Islandës në Këshillin e Evropës.

Presidentja Osmani theksoi rolin e rëndësishëm që luan kjo organizatë në garantimin, mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut dhe vlerësoi lidershipin e Islandës në këtë drejtim. Presidentja Osmani shprehu domosdoshmërinë që Kosova të anëtarësohet në këtë organizatë, duke nënvizuar progresin e jashtëzakonshëm në garantimin, mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut në Kosovë, duke përfshirë kornizën kushtetuese dhe ligjore, e cila është shumë e avancuar dhe plotësisht e harmonizuar me të gjitha konventat ndërkombëtare“, thuhet në njoftimin e presidencës.

Tutje, theksohet se presidentja Osmani, e ka potencuar faktin se qytetarëve të Kosovës po u bëhet padrejtësi e madhe duke ua mohuar qasjen në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, si instrument jashtëzakonisht efektiv për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore.

Në takim është biseduar edhe për rritjen e bashkëpunimit gjatë presidencës së Islandës në Këshillin e Evropës.

/Shqip.com