Lajme

Osmani takohet me Presidenten e Parlamentit Evropian, bisedojnë për liberalizmin e vizave

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka zhvilluar sot gjatë ditës një takim virtual me presidenten e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola.

Në këtë takim, temë kryesore ishte çështja e liberalizmit të vizave për shtetasit nga Kosova.

“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani- Sadriu ka zhvilluar një takim virtual me presidenten e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola me të cilën diskutuan një sërë temash, që nga liberalizmi i vizave për Kosovën, situata aktuale në Evropë pas luftës së Rusisë kundër Ukrainës, si dhe përkushtimin e Kosovës për paqe dhe dialog” thuhet në njoftimin për media nga zyra e presidencës.

Osmani gjatë takimit ka ritheksuar se populli i Kosovës është populli më pro-evropian në botë, prandaj e drejta për të udhëtuar lirshëm duhet garantuar pa vonesë.

Foto nga takimi

 “Vlerat evropiane janë të mishëruara në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe përparimi i vazhdueshëm i vendit tonë në indekset e ndryshme të demokracisë dhe luftës kundër korrupsionit janë dëshmi që e ardhmja jonë e vetme është në familjen evropiane. Ne jemi të përkushtuar që të forcojmë marrëdhënien tonë për një rrugëtim të drejtë e të barabartë drejt Bashkimit Evropian”, ka theksuar e para e shtetit.

Po ashtu është bërë e ditur se Osmani ka informuar Metsolan për synimet e Kosovës për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

“Presidentja Osmani e informoi Presidenten Metsola për synimin e Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, përpjekjet institucionale për rimëkëmbje nga pandemia dhe rolin konstruktiv të Kosovës në procesin e dialogut me Serbinë:, thuhet në njoftimin e Presidencës. /Shqip.com