Lajme

Osmani takohet me përfaquesit e shoqërisë civile, diskutojnë për përzgjedhjen e kryeprokurorit

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu ka takuar përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile për të diskutuar rreth procesit të përzgjedhjes së kryeprokurorit të shtetit.

Sipas njoftimit nga zyra e presidencës, Osmani ka falënderuar përfaqësuesit e shoqërisë civile për pjesëmarrjen aktive në monitorimin e procesit të përzgjedhjes së kryeprokurorit të shtetit, duke nënvizuar se çdo rekomandim i identifikuar përgjatë procesit do të shqyrtohet me kujdes të veçantë.

“Është thelbësore që çdo emërim të jetë rezultat i një procesi transparent dhe të drejtë, dhe çdo kandidat të ketë integritet të dëshmuar përgjatë karrierës. Këto janë parime themelore të cilat i kam ndjekur në çdo emërim që kam bërë”, ka thënë Presidentja Osmani.

Po ashtu është bërë e ditur se Presidentja Osmani do të vazhdojë konsultimet edhe me akterë të tjerë të përfshirë nëkëtë proces për t’u siguruar që procesi ka qenë i drejtë dhe i pranueshëm./Shqip.com