Lajme

Osmani takohet me Hovenierin, diskutojnë për zhvillimet e fundit në vend

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, priti në takim të rregullt ambasadorin e Shteteve të Bashkuara, Jeffrey Hovenier me të cilin bisedoi për zhvillimet e fundit në vend me fokus në çështjet e sigurisë, por edhe tema të tjera të interesit të përbashkët.

Në prag të debatit për Kosovën në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Presidentja Osmani dhe Ambasadori Hovenier diskutuan edhe për pritshmëritë nga ky debat.

Në këtë takim, prezente ishte edhe drejtoresha e re e USAID, Eileen Devitt, të cilën Presidentja Osmani e uroi për pozitën e re.

Ajo shprehu mirënjohje të thellë për mbështetjen e USAID dhe konfirmoi rëndësinë e projekteve të mbështetura nga USAID të cilat kontribuojnë në përmirësimin e jetës dhe mirëqenies së qytetarëve.

“Presidentja Osmani konfirmoi gatishmërinë për vijim të bashkëpunimit të shkëlqyeshëm si dhe deri me tash, duke vënë theksin tek mundësitë e zgjerimit të këtij bashkëpunimi gjithnjë e më shumë”, njofton Zyra e Presidencës së Kosovës.

/Shqip.com