Lajme

Osmani takohet me delegacionin e Kongresit amerikan që po qëndron për vizitë në Kosovë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim senatoren Joni Ernst nga Senati i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, njofton Shqip.com.

Osmani ka deklaruar se në këtë takim është diskutuar për thellimin e bashkëpunimit midis dy vendeve.

“Kënaqësi të mirëpres Senatoren Joni Ernst nga Senati i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Diskutuam për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve tona, e në veçanti bashkëpunimin e shkëlqyeshëm në fushën e mbrojtjes si dhe fushat e tjera”, ka shkruar Osmani në llogarinë e saj në Facebook.

Senatorja nga shteti i Iowa-s, Ernst ka shërbyer për mbi 23 vjet në Ushtrinë amerikane dhe po ashtu është gruaja e parë, veterane e ushtrisë, që u zgjodh në Senatin amerikan.

Ajo si udhëheqëse republikane bashkë me një delegacion të Kongresit amerikan, po viziton Prishtinën. /Shqip.com