Osmani takohet me Abazoviqin, diskutojnë për paqen në rajon
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani gjatë vizitës zyrtare në Mal të Zi është pritur në takim nga Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq.
Në takim me Kryeministrin Abazoviq, Presidentja Osmani vlerësoi lart fqinjësinë me Malin e Zi, për të cilën kontribuojnë komuniteti shqiptar në këtë shtet dhe ai malazez në Kosovë.
Sipas saj, Mali i Zi është një partner, te i cili ka gjetur mbështetje në vazhdimësi dhe shfaqi shpresën se kjo mbështetje do të vazhdojë edhe më tej.
“Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës është me rëndësi për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të të gjithë qytetarëve të Kosovës pa dallim, ndaj ritheksoj rëndësinë e mbështetjes nga Mali i Zi”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga presidenca.
Gjithashtu në takim është diskutuar edhe për zhvillimet aktuale në rajon, me ç’rast u vu theksi tek tendenca e Rusisë dhe Serbisë për destabilizimin e Kosovës dhe rajonit.
Në takim u diskutua edhe për zgjerimin e bashkëpunimit në fushën e shkëmbimit ekonomik, tregtar, turizëm, arsim dhe fusha të tjera të interesit të dyanshëm.
Kujtojmë se, gjatë vizitës së saj zyrtare në Mal të Zi, Osmani gjatë ditës është takuar edhe me presidentin e shtetit, Millo Gjukanoviq.
Pas takimit, presidenti malazez, Gjukanoviq ishte shprehur se do e mbështesin Kosovën në rrugën e saj evropiane.
/Shqip.com