Lajme

Osmani takohet me Abazoviq, u kërkuar mbështetja e Malit të Zi për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq

Në Samitin e Demokracisë së Evropës Juglindore, i cili po mbahet në Mal të Zi, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka takuar kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviq.

Në njoftim nga zyra e presidencës, u bë e ditur se në këtë takim, Osmani dhe Abazoviq, kanë diskutuar për raportet bilaterale në mes të dy shteteve dhe mundësitë për avancimin e mëtutjeshëm të tyre.

“Presidentja Osmani ka thënë se Kosova e vlerëson dhe e përkrah bashkëpunimin me Malin e Zi në të gjitha fushat, duke theksuar edhe mundësinë për shkëmbim të përvojave për procesin e integrimit evropian.  Më tej, Presidentja Osmani ka kërkuar përkrahjen e qeverisë së Malit të Zi për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës në veçanti, si dhe në organizata ndërkombëtare në përgjithësi”, thuhet në njoftim.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq

Osmani dhe Abazoviq theksuan edhe një herë rëndësinë e bashkëpunimit në mes të vendeve të rajonit e me këtë rast.

“Presidentja Osmani potencoi rëndësinë e bashkëpunimit të ndërtuar mbi premisat e barabarësisë dhe gjithpërfshirjes, si dhe faktin se Kosova përkrahë vazhdimin e bashkëpunimit në kuadër të procesit të Berlinit”, thuhet tutje në njoftim.

Gjithashtu u bë e ditur se ndërlidhur me zhvillimet në Evropë si pasojë e luftës në Ukrainë, dy liderët diskutuan edhe për rëndësinë e vazhdueshme të koordinimit të veprimeve me Bashkimin Evropian në raport me agresionin rus në Ukrainë.