Lajme

Osmani: Sot kujtojmë veteranët e UÇK-së dhe sakrificën e Jasharajve

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se në Ditën e Veteranit, kujtojnë me respekt djemtë e vajzat që dhanë kontributin e tyre në luftën e fundit në Kosovë.

Siç ka njoftuar zyra e presidencës, Osmani ka thënë se në këtë ditë kujtohet edhe sakrifica e Adem Jasharit dhe familjes së tij.

“Në Ditën e Veteranit të UÇK-së, kujtojmë me respekt të gjithë ata djem e vajza të Ushtrisë sonë Çlirimtare, të cilët e bën të mundshme lirinë tonë. Sot kujtojmë edhe sakrificën e komandantit legjendar Adem Jashari me familje, i cili më 30 dhjetor të vitit 1991 pati betejën e parë me forcat e regjimit gjenocidal serb, duke shënuar fillet e rezistencës së armatosur dhe njëherit paralajmërimin e lirisë sonë”, shkroi Osmani.

Tutje, Osmani tha se sakrifica e dëshmorëve dhe e veteranëve të UÇK-së do të shërbejë si udhërrëfyes për forcimin e shtetit.

/Shqip.com