Osmani: Shpresojë që aplikimi i Kosovës për në Bashkimin Evropian të përkrahet nga ana e shteteve të BE-së

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka marrë pjesë në në takimin e liderëve të procesit të Bërdo-Brionit në Slloveni.
Pas takimeve në mes të liderëve në një konferencë për media, e para e vendit është shprehur se Kosova është një vend që plotësisht është në përputhje me aspiratat e Bashkimit Evropian.
“Sa më shumë që është prezentë prania e BE-së në Ballkan, aq më shumë paqe e siguri do të ketë në këtë rajon dhe në BE. Kosova do të jetë anëtare e barabartë e këtij rajoni. Si e tillë ne kemi dhënë propozimet që edhe janë marrë parasysh në këtë samit” është shprehur fillimisht Osmani.
Ajo ka vlerësuar rolin e Sllovenisë dhe Kroacisë për integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.
Më tutje Osmani ka thënë se një nga pikat kryesore të diskutimit ka qenë liberalizimi i vizave për Kosovën.
““Aktualisht nuk ka vend në Bashkimin Evropian që na thotë se është kundër liberalizimit të vizave. Ky është momentum më i mirë në këto katër vitet e fundit për liberalizimin e vizave. Pra momentumi është i shkëlqyeshëm dhe kemi mbështetjen e nikoqirit. Shpresojmë që gjatë tetorit do të ketë takim për liberalizimin e vizave dhe pastaj në samitin e ardhshëm BE-Ballkan Perëndimor të ketë diçka më shumë. Me rëndësi është që ky proces të bëhet gjatë presidencës çeke të BE-së”, deklaroi Osmani.
Osmani po ashtu shpreson që aplikimi i Kosovës për në Bashkimin Evropian të përkrahet nga ana e shteteve të BE-së./Shqip.com