Lajme

Osmani: Serbia po përdor retorikë luftënxitëse, gati për zbatimin e marrëveshjes

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani pas takimit me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj ka folur edhe për situatën në veri të vendit.

E para e shtetit ka thënë se Bashkimi Evropian duhet të jetë më i zëshëm karshi tendencave destabilizuese e retorikë luftënxitëse të Serbisë ndaj gjithë rajonit.

“S’ka dhe nuk mund të ketë ekuivalencë të dy palëve, kur Serbia është ajo që po përdor retorikë luftënxitëse në raport me Kosovën, por edhe veprime që cenojnë paqen dhe stabilitetin”, ka thënë Osmani.

Osmani ka shtuar se tashmë po bëhen të gjitha përgatitjet e nevojshme që të zbatohen në praktikë vendimet e institucioneve të Kosovës, të cilat siç tha ajo sigurojnë dhe zbatim të marrëveshjeve të Brukselit për të gjithë qytetarët e vendit pa dallim etnie.

“Institucionet e Kosovës janë të përkushtuara që të vazhdojnë me koordinim të plotë me partnerët ndërkombëtar, ashtu siç jemi koordinuar deri më tani. Në anën tjetër po bëhen të gjitha përgatitjet e nevojshme që të zbatohen në praktikë vendimet e institucioneve tona të cilat sigurojnë dhe zbatim të marrëveshjeve të Brukselit, por mbi të gjitha trajtim të barabartë të të gjithë qytetarëve pa dalim etnie”, ka shtuar Osmani.

Dy javë më parë, Qveria e Kosovës ka marrë vendim që të shtyej për datën 1 shtator masat e reciprocitetit me Serbinë për targat dhe dokumentet./Shqip.com