Lajme

Osmani: Serbia është satelit i Rusisë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë për transmetuesin kombëtar të Australisë, ABC, ka folur mbi zhvillimet e fundit në Evropë dhe përjetimet e popullit të Kosovës në luftën, siç e quajti ajo, gjenocidale të viteve të 90-ta.

Osmani tha se lufta në Ukrainë sjell kujtime të dhimbshme për popullin e Kosovës, pasi sipas saj, ‘’populli i Kosovës ka qenë viktimë e gjenocidit, krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit, nga politika gjenocidale e Millosheviqit’’.

E para e shtetit përmendi edhe ndihmën që Kosova ka ofruar për popullin e Ukrainës si dhe sanksionet ndaj Rusisë.

Lufta në Ukrainë

“Ne jo vetëm që u solidarizuam me ta, por ishim shteti i parë në rajonin e Ballkanit Perëndimor që iu bashkëngjitëm sanksioneve të ShBA-së dhe BE-së dhe partnerë si Australia”.

“Pavarësisht se jemi vend i vogël, në këtë kohë të vështirë për kontinentin tonë, duhet të qëndrojmë bashkë pavarësisht se a jemi të vogël apo të mëdhenj”, është shprehur Osmani.

Në fund, presidentja tha se pasojat e rajonit të Ballkanit mund të lidhen me sigurinë, pasi sipas saj, Rusia e ka një ‘satelit’ në rajon, e që është Serbia.

Osmanit thekson se Serbia i ka shërbyer interesave të Rusisë për kohë të gjatë dhe ka një bashkëpunim ekonomik e ushtarak në vitet e fundit./Shqip.com