Osmani: Serbia e sotme ndjekë mentalitetin e Millosheviqit – Asociacioni si “Republika Srpska”

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, deklaroi të hënën se liderët aktualë të Serbisë po vazhdojnë të ndjekin politikat e vjetra të Slobodan Milosheviqit.
Siç ka thënë ajo, po shndërrohen në vegël të Rusisë për të destabilizuar Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor, për t’i shkatërruar të arriturat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ajo këto komente i bëri në një fjalim mbi të ardhmen e Kosovës në një rajon sfidues në Institutin e Politikës së Jashtme (FPI) në kuadër të Shkollës së Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare John Hopkins, në Nju Jork.
Lidhur me krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe me kompetenca ekzekutive, tha se do të ishte prelud i krijimit të një “Republika Srpska”.
“Ky asociacion nuk do t’i shkaktonte probleme vetëm Kosovës por edhe aleatëve”, deklaroi Osmani.
“Zbatimi nuk është prelud vetëm i krijimit i një ‘Republika Srpska’, por shkon kundër investimeve për stabilitet që partnerët tanë kanë bërë me vjet. Nuk është e mirë as për partnerët, do t’u shkaktojë kokëdhimbje. Edhe ju do të përballeni me këtë mostabilitet”.
Sipas saj, ujdia për Asociacionin e Komunave Serbe nuk mund të zbatohet pasi që Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se nuk është në linjë me të.
Ndër të tjera, Osmani pohoi se “Kosova ka nisur ndërtimin e saj si shtet nga zeroja, si rezultat i luftës së regjimit të Millosheviqit”.
“Storia e Kosovës është përfundimisht një storie e suksesit. Si ta ndërtoni shtetin nga pikënisja, e cila ishte pikërisht ajo që ne u desh ta bënim pas një periudhe të dhimbshme historie dhe të një lufte të madhe që kishte populli i Kosovës. Unë besoj shumë se vendi ynë do të ecën përpara, përfshirë nga pikëpamja ekonomike”, tha ajo.
Sipas saj, Kosova në 13 vjet shtet ka pasur progres të madh, derisa shtoi se është e mbështetur nga aleatët më të mëdhenj, sidomos SHBA-ja.
“Kur flasim për Kosovën dhe popullin e saj, ne kryesisht flasim në kontekstin e luftës. Njerëz të ndryshëm në botë mendojnë se lufta në Kosovë ka nisur më 2011 kur ka nisur dialogu Kosovë-Serbi, por është një kontekst i kësaj dhe kthehet mbrapa në kohën kur ish-lideri serb Millosheviq, i njohur si kasapi i Ballkanit, i mori të drejtat autonome të Kosovës, duke dhunuar çdo të drejtë bazike të qytetarëve të Kosovës, duke nisur nga e drejta jonë për arsimim”.
“Unë isha fëmijë i vogël në atë kohë në shkollë dhe të gjithë ne u dëbuam nga shkollat tona për të njëjtën arsye, se ne nuk jemi një popull i njëjtë sikurse regjimi i Millosheviqit. Kur ne u nuk u lejuam të shkojmë në shkollë, të gjithë prindërit u larguan nga puna, ne nuk ishim të lejuar të ndiqnim asnjë të drejtë civile ose të drejta të kulturës. Praktikisht ne kemi jetuar nën një regjim aparteidi. Kjo çoi deri te lufta e shkaktuar nga regjimi i Millosheviqit”, u shpreh Osmani./SHQIP.com