Lajme

Vjosa Osmani: Serbia duhet të sanksionohet për agresionin ndaj Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në kuadër të vizitës zyrtare në Kroaci u prit dje me nderimet më të larta shtetërore nga Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanović. Osmani ka falënderuar Kroacinë për mbështetjen ndaj Kosovës në të gjitha fazat e shtetndërtimit. Presidentja Osmani theksoi se Kroacia është mike dhe aleate e Kosovës në rajon dhe në strukturat euroatlantike, ndërkohë që të dy shtetet kanë marrëdhënie të shkëlqyeshme. Në këtë funksion, sipas Presidentes Osmani, komuniteti shqiptar në Kroaci dhe ai kroat në Kosovë, janë urë e fuqishme lidhëse ndërmjet të dy shteteve.

Më tej, Presidentja e ka njoftuar homologun Milanović mbi sulmin terrorist dhe aktin e agresionit të Serbisë kundër Kosovës, koordinimin me aleatët dhe prezencën ndërkombëtare të sigurisë në Kosovë, teksa ka diskutuar edhe për thellimin e bashkëpunimit me qëllim të tejkalimit të sfidave të sigurisë.

Sipas Presidentes Osmani, populli dhe institucionet e Republikës së Kosovës janë të përkushtuara për paqe, stabilitet dhe siguri në vend dhe rajon. Presidentja Osmani ritheksoi gjithashtu synimin e Kosovës për anëtarësim në strukturat euroatlantike, ndaj mbështetjen nga Kroacia e vlerësoi si të rëndësishme në përmbylljen e suksesshme të të gjitha këtyre proceseve integruese.

Osmani dhe Milanović, ndër të tjera, diskutuan dhe shprehën gatishmëri për ta rritur bashkëpunimin në fushën e politikës së jashtme, mbrojtjes, ekonomisë, si dhe në sfera të tjera të interesit të dyanshëm.​

Presidentja ka vijuar takimet me me kryetarin e Parlamentit kroat Gordan Jandrokoviç, të cilin e njoftoi lidhur me zhvillimet e fundit në Kosovë duke vlerësuar lart unitetin e treguar nga Kuvendi i Kosovës në përballjen me agresionin e Serbisë.

Ajo ka theksuar se sa i përket sulmit terrorist dhe aktit të agresionit të Serbisë ndaj Kosovës, Serbia duhet të sanksionohet nga komuniteti ndërkombëtar për këto veprime.

Në të njëjtën kohë, presidentja Osmani ka theksuar domosdoshmërinë e tërheqjes së trupave ushtarake serbe nga kufiri me Kosovën dhe në këtë kontekst, ka falënderuar NATO-n për dërgimin e trupave shtesë me qëllim të rritjes së sigurisë përgjatë kufirit Kosovë-Serbi, thuhet në komunikatën e Presidencës.

Sipas presidentes Osmani, Kosova ka nevojë për mbështetje në këto momente të vështira, ndaj ka theksuar se Kosova llogaritë në përkrahjen e vazhdueshme të Kroacisë në procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës, Bashkimit Evropian, NATO dhe organizata të tjera ndërkombëtare si dhe në ballafaqimin me sfida të sigurisë.

Gjithashtu, Osmani u prit nga kryeministri i  Kroacisë, Andrej Plenkoviç, ku ka theksuar se më 24 shtator, në Banjskë, Serbia ka kryer sulm terrorist dhe akt agresioni ndaj Kosovës me qëllim të aneksimit të veriut të Kosovës dhe destabilizimit të tërë rajonit.

Presidentja Osmani ka potencuar rëndësinë e mbajtjes së Serbisë përgjegjëse për aktin e saj të agresionit kundër Republikës së Kosovës.

Ajo ka theksuar se në mënyrë që paqja të jetë e mundur në rajon, Serbia duhet t’i tërheq trupat ushtarake nga kufiri me Kosovën, ngase përbëjnë rrezik për paqen dhe stabilitetin.

Osmani dhe Plenkovia kanë diskutuar edhe për provat e mbledhura nga policia e Kosovës që e lidhin drejtpërdrejt Serbinë me këtë sulm si dhe për bashkëpunimin e institucioneve të sigurisë me aleatët tanë në mënyrë që të parandalohet agjenda destabilizuese e Serbisë.

Presidentja Osmani ka falënderuar kryeministrin Plenkoviç për kontributin e ushtarëve kroatë në misionin e KFOR-it në Kosovë dhe bashkëpunimin bilateral ne fushën e mbrojtjes mes Kosovës dhe Kroacisë teksa kanë diskutuar për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit në këtë fushë.

Sipas një komunikate të Presidencës, ajo ka theksuar se Kosova ka prioritet shtetëror anëtarësimin në NATO edhe për shkak të sfidave të sigurisë me të cilat ballafaqohet rajoni ynë, ndërkaq potencoi edhe rëndësinë e avancimit me anëtarësimin e vendit në Këshillin e Evropës e në Bashkimin Evropian si dhe organizma të tjerë ndërkombëtar.

/Shqip.com