Lajme

Osmani pranon letrat kredenciale nga ambasadori i ri i Suedisë, Jonas Westerlund

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, sot ka pranuar letrat kredenciale nga ambasadori i ri i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, të cilit i ka uruar mirëseardhje.

Siç ka njoftuar zyra e presidencës, raportet ndërmjet të dy shteteve janë vlerësuar të mira.

“Raportet ndërmjet të dy shteteve janë vlerësuar të mira, teksa Osmani shfaqi besimin se zhvillimet pozitive të raporteve bilaterale ndërmjet Kosovës e Suedisë do të vazhdojnë edhe gjatë mandatit të ambasadorit Westerlund”, thuhet në njoftimin e presidencës.

Po ashtu, thuhet se Osmani ka falënderuar shtetin e Suedisë për ndihmën e deritashme, duke kërkuar që kjo mbështetje të vazhdojë edhe më tej, e sidomos për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Ndër tjerash, në këtë takim është diskutuar edhe për zhvillimet politike në Kosovë dhe rajon.

“Në takim është diskutuar edhe për zhvillimet aktuale politike në vend dhe rajon. Presidentja Osmani ka përsëritur qëndrimin se në dialogun me Serbinë, Kosova është palë konstruktive dhe se ky proces duhet të përqendrohet në njohjen e ndërsjellë”.

Sipas Osmanit, vendimet e institucioneve të Kosovës janë në përputhje me marrëveshjet e Brukselit për lirinë e lëvizjes dhe se institucionet e Kosovës janë në komunikim dhe koordinim të vazhdueshëm me partnerët ndërkombëtar.

Osmani dhe ambasadori Westerlund, në takim kanë diskutuar edhe për thellimin e raporteve në sferën e politikës së jashtme, fuqizimin e demokracisë, sundimin e ligjit, barazisë gjinore dhe mbrojtjes së mjedisit./Shqip.com