Lajme

Osmani pjesë e Samitit të Frankofonisë, mirëpritet nga presidenti Macron

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ishte pjesëmarrëse në hapjen zyrtare të punimeve të Samitit të krerëve të shteteve anëtare të Organizatës së Frankofonisë.

Me këtë rast ajo ka takuar një numër të krerëve të shtetit e të delegacioneve të vendeve të ndryshme që ishin prezent në këtë samit që mblodhi 88 shtete.

Në hapje të samitit u diskutua mbi vlerat e përbashkëta të cilat i kultivon Organizata e Frankofonisë, përfshirë diversitetin kulturor, etnik e gjuhësor, si dhe parimet bazë të saj, sikur janë zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik, politik e social.

Osmani në fjalën e saj në sesionin e parë plenar të Samitit të Frankofonisë i cili iu kushtua zhvillimeve në fushën e digjitalizimit, tha se liderëve u takon të përcjellin mesazhe  për paqen në botë.

“Si anëtare e familjes së madhe 88-anëtarëshe të Frankofonisë, shteteve iu takon të përcjellin mesazhe të rëndësishme, jo vetëm për paqen në botë, por edhe për mundësitë e zhvillimit në epokën digjitale, të cilat janë bërë të domosdoshme sidomos pas sfidave që na përcollën gjatë pandemisë”, tha Osmani.

Sipas Presidentes Osmani, zhvillimi i shpejtë teknologjik duhet të na përgatisë për përgjigjet ndaj sfidave të së ardhmes.

“Ne duhet të sigurohemi se do ta përdorim drejt dijen tonë, duke u kujdesur që përdorimi teknologjik t’i shërbejë afrimit dhe solidaritetit ndërmjet njerëzve dhe popujve”, theksoi ajo.

/Shqip.com