Lajme

Osmani: Plaget e Krushës së Madhe janë të hapura, s’ndalemi së kërkuari drejtësi

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka bërë homazhe në Krushë të Madhe në shënim të 24-vjetorit të masakrës atje.

Në adresimin e saj, Osmani tha se plagët e Krushës së Madhe janë endë të hapura.

“Plagët e Krushës së Madhe janë ende të hapura. Prej më tepër se 20 vite, fati i intelektualit, Ukshin Hotit ende mbetet i pa zbardhur, i tillë mbetet fati edhe 64  banorëve të Krushës së Madhe të cilët ende figurojnë në listën e të zhdukurve me dhunë. Zemrat e copëtuara të nënave, grave, motrave e të fëmijëve ende kërkojnë drejtësinë e munguar”, tha Osmani.

Osmani tha se krimet e luftës asnjëherë nuk vjetërsohen si dhe nuk do të ndalën së kërkuari drejtësi.

“Krimet e luftës asnjëherë nuk vjetërsohen, njësoj sikur edhe gjenocidi që kishte për qellim shfarosjen e popullit shqiptar. Nuk do të ndalemi së kërkuari që autorët të vihen para drejtësisë dhe që fati i patriotit të madh, Ukshin Hotit dhe i të gjithë Krushianëve të tjerë të zbardhët. Asnjëherë nuk duhet të heshtim e as të dorëzohemi ngase besojmë ende se shpirti human i botës demokratike nuk do të heshtë në kërkim të drejtësisë”. 

Sot në Krushë të Madhe përkujtohen 243 personat e vrarë në masakrën e kryer nga Serbia.

Më 25, 26 e 27 mars të vitit 1999, përveç personave të vrarë e masakruar, në fshatin Krushë të Rahovecit janë shoqëruar e djegur edhe 893 shtëpi.

Masakra e Krushës së Madhe është një nga masakrat me vrasje më masive nga paramilitarët, policia dhe ushtria serbe.

/Shqip.com