Lajme

Osmani përkujton Nënë Terezën në ditëlindjen e 111-të të saj

Vjosa Osmani - Presidente e Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar Nënë Terezën, në ditëlindjen e 111-të të saj, njofton Shqip.com.

Përmes një postimi, Osmani u shpreh se në këtë ditë duhet kujtuar simboli i dashurisë dhe paqes, e cila botës ia dhuroi vlerat e mira të saj dhe të popullit shqiptar.

“Sot, në ditëlindjen e 111-të të nënës sonë, Shën Terezës, kujtojmë përplot nderim simbolin e dashurisë dhe të paqes, e cila botës ia dhuroi vlerat e mira të saj e të popullit të saj shqiptar: dashurinë për njeriun, zemërgjerësinë dhe bashkëvuajtjen me më të dobtit”, shkroi ajo në Facebook.

Ndryshe, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka përkujtuar Nënë Terezën në 111 vjetorin e saj, duke uruar që kjo ditë të jetë e “paqtë”, siç ishte jeta e saj.

Më 26 gusht të vitit 1910, ka lindur në Shkup, Anjezë Gonxhe Bojaxhiu. Qysh e re, në moshën 18-vjeçare, nisi jetën e saj përkushtuar Zotit, të varfërve dhe të munduarve. /Shqip.com