Lajme

Osmani për vizat: Ti jepet fund përjashtimit të padrejtë të qytetarëve të Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret në procesin e liberalizimit të vizave, duhet t’i jepet fund përjashtimit të padrejtë të qytetarëve të Kosovës nga ku proces.

Këtë deklaratë Osmani e dha gjatë konferencës që kishte me homologun e saj nga Malta, George Vella.

“Kjo vizitë është edhe njëherë dëshmi e marrëdhënieve të shkëlqyeshme dypalëshe mes shteteve tona, ne jemi jashtëzakonisht mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme nga shteti i Maltës që nuk ka munguar asnjëherë në të gjitha fazat e shtetndërtimit të Kosovës.

Kanë kaluar më shumë se katër vite që kur Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret në procesin e liberalizimit të vizave, duhet t’i jepet fund përjashtimit të padrejtë të qytetarëve të Kosovës nga ku proces. Prandaj, shpresojmë që vendimi të merret më së largu deri në dhjetor, përgjatë presidencës  çeke dhe që pastaj vendimi për liberalizimin e vizave të hyjë në fuqi sipas praktikave të deri tanishme, duke mos përcaktuar kritere të reja teknike, të cilat vetëm sa do ta vazhdonin padrejtësinë e madhe ndaj qytetarëve të Kosovës”, tha Osmani.

Tutje, ajo u shpreh se liberalizimi i vizave do të ishte një hap i parë, përmes së cilit BE-ja do ta rikonfirmonte orientimi ynë euroatlantik është edhe siç u shpreh ajo interes gjeo-strategjik i vet Bashkimit Evropian.

Ndërsa, Vella ka thënë se vendi i tij e mbështet liberalizimin e vizave dhe anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian.

Ai tha se Kosova ka përmbushur gjitha kushtet.

“E ritheksoj mbështetjen e vazhdueshme të Maltës për Kosovën në rrugëtimin drejt anëtarësimit në BE. Mirëpres raportin e Komisionit Evropian, dhe e inkurajoj Kosovën të vazhdojë rrugëtimin reformues drejt perspektivës evropiane. Malta mbështet propozimin e KE-së për liberalizim të vizave, pasi Kosova ka përmbushur gjitha kushtet”, ka thënë Vella.

Ndryshe, presidenti Vella do të marr pjesë në Forumin për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.

/Shqip.com