Lajme

Osmani për “The Sun”: Serbia po përdor taktikat ruse për të frikësuar Kosovën

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në një intervistë për “The Sun Online”, ka folur për situatën në Ballkan. Ajo ka deklaruar se Serbia po përdor taktikat ruse për të frikësuar Kosovën.

Sipas saj, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq është “thellësisht i lidhur” me Putinin, duke shtuar se Serbia synon ta marrë territorin e Kosovës, ashtu siç bëri Rusia me Krimenë.

“Unë besoj se ai po tregon qëllimin e tij. Të gjitha këto tregojnë se është pikërisht i njëjti plan. Dhe gjuha që përdoret nga disa politikanë serbë është gjithashtu jashtëzakonisht e ngjashme me komentet e Putinit për Ukrainën”, ka deklaruar Osmani.

Tutje presidentja gjatë kësaj interviste ka deklaruar se ka kërkuar nga perëndimi që të vazhdojë t’i mbështes ata, duke paralajmëruar se një konflikt në Ballkan do të destabilizonte edhe më tej një Evropë tashmë të brishtë.

“Ky është një problem i largët. Paqja në Ballkanin Perëndimor është shumë e lidhur me paqen në Londër, në Nju Jork, në Washington, në Paris, në Berlin, sepse historia tregon se mungesa e paqes dhe sigurisë në Evropë është mungesë e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare, dhe kjo mungesë paqeje dhe sigurie në Ballkanin Perëndimor do të thotë një Evropë e destabilizuar”, u shpreh Osmani.

Osmani ka folur edhe për situatën në veri të Kosovës, duke theksuar se forcat paraushtarake serbe dhe organizatat kriminale ndihmojnë në shkaktimin e dhunës në veri të Kosovës, me Rusinë që importon armë dhe uniforma ushtarake.

“Serbia ka mbështetur hapur këto grupe në veri të Kosovës dhe ka kryer krime, duke përfshirë kryerjen e krimeve kundër serbëve që jetojnë në veri”, ka thënë ajo për “The Sun Online”.

Derisa ka folur për Planin Evropian, ajo ka thënë se janë absolutisht të zhgënjyer që njohja reciproke nuk përfshihet në mënyrë eksplicite në këtë marrëveshje.

Sipas saj, njohja reciproke është zgjidhja e vetme që mund të garantojë paqe dhe stabilitet afatgjatë.

/Shqip.com