Lajme

Osmani për takimin me Vuçiqin: Ankohej, nuk e tregonte të vërtetën

Aleksandar Vuçiq dhe Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani gjatë në një konference për media pas samitit të liderëve të Komunitetit Politik Evropian ka thënë se në takimin me liderët evropianë kanë pasur mundësi që t’i njoftojë në detaje me atë se çfarë po ndodh në veri dhe se Kosova në baza ditore është e kërcënuar nga Serbia.

E para e shtetit bëri të ditur se nuk ka pasur asnjë plan që të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, por ka dashur të përçojë mesazhin si presidente se populli i Kosovës është konstruktiv.

“S’e kam pasur asnjë plan që të takohesha me Vuçiqin…. Si presidente e të gjithë qytetarëve të Kosovës dua të tregoj konstruktivitet, e që është virtyt i popullit tonë dhe që të tregojmë vullnet se mund të flasim me të gjithë… Ia kemi zgjatur dorën e bashkëpunimit Serbisë për vite të tëra dhe nuk është hera e parë që e gjejmë veten me Vuçiqin në takime të tilla”, u shpreh ajo.

Osmani bëri të ditur se takimi është mbajtur me insistimin e presidentit francez, Emmanuel Macron dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz.

Ajo potencoi se takimi nuk ishte negociues, por kishte vetëm shkëmbim pikëpamjesh, e në të cilin takim tha se Vuçiqi vajtonte, ankohej e  siç tha ajo “sigurisht nuk tregonte të vërtetën, që është virtyt i tij, duke qenë ministër i propagandës së Millosheviqit”.

Sipas saj, në takim ka potencuar përkushtimin e Kosovës për të implementuar çdo pikë të marrëveshjeve.

/Shqip.com