Lajme Botë

Osmani për njohjen e patentë shoferëve nga Gjermania: Gjatë vizitës në Berlin këtë kisha temë kryesore

Vjosa Osmani, presidente e Kosoves

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është shprehur jashtëzakonisht falënderuese ndaj shtetit gjerman për njohjen dhe pranimin e patentë shoferëve të lëshuar nga shteti i Kosovës.

Ajo, përmes një postimi në llogarinë e saj në Facebook, ka treguar se pikërisht kjo temë ishte nga bisedat kryesore që pati sa ishte në vizitë zyrtare në Gjermani.

“Gjatë vizitës zyrtare në Gjermani kjo ishte një prej diskutimeve kryesore, e cila reflektonte edhe një prej brengave kryesore të mërgatës sonë atje”, shkroi Osmani, duke e theksuar se kjo njohje përbën lajm të rëndësishëm për shqiptarët që jetojnë e punojnë në Gjermani.

“Jashtëzakonisht mirënjohëse për bashkëpunimin e institucioneve gjermane në trajtimin e kësaj kërkese të kamotshme”.

Sipas Osmanit, njohja dhe pranimi i patentë shoferëve, përveç se shumë e rëndësishme për mërgatën “konfirmon besueshmërinë e institucioneve gjermane në procedurat dhe punën e institucioneve tona”.

Prandaj, sipas saj, ky hap “kontribuon në avancimin tutje të raporteve tona tashmë të shkëlqyeshme bilaterale”.

Ambasada e Republikës së Kosovës në Gjermani ka njoftuar se shteti gjerman ka njohur patent shoferin  e Kosovës.  

“Dhuratë e veçantë nga Gjermania për Kosovën në prag të festimit të 14-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Kemi kënaqësinë t’ju njoftojmë se Bundesrati sapo votoi me shumicë votash pro nënshkrimit të marrëveshjes së njohjes së patentë shoferëve të Republikës së Kosovës.”, thuhet në njoftimin e ambasadës./Shqip.com