Lajme

Osmani për “Corriere Della Sera”: Evropa mbetet e vetmja rrugë për Kosovën, Serbia po e stagnon marrëveshjen finale

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani gjatë qëndrimit të saj në Vatikan, e ka dhënë një intervistë për gazetën italiane “Corriere Della Sera”.

Mes shumë temave, e para e vendit ka folur për raportet e Kosovës me Serbinë, veprimtarinë e Grupit Wagner në Ballkan, Gjykatën Speciale dhe mbi të gjitha marrëveshjen finale me shtetin serb.

Osmani ka thënë se Serbia vazhdon me politikën e njëjtë, duke krijuar tensione sepse udhëhiqet nga ata që i kanë shërbyer Millosheviqit.

Është i njëjti vend që bëri luftëra në vitet 1990 që po shkakton sërish probleme. Fatkeqësisht, Serbia udhëhiqet nga ata që i shërbyen Millosheviqit në vitet 1990 dhe kanë të njëjtat pretendime territoriale si atëherë: ata vetëm kanë ndryshuar strategjinë e tyre. Serbia i konsideron Kosovën, Bosnjën, Malin e Zi si shtete provizore për t’u shkatërruar, dëshiron t’i destabilizojë ato”, tha Osmani.

Sa i përket tensioneve të fundit në veri të vendit dhe vendosjes së barrikadave, ajo ka deklaruar se aty kanë vepruar njerëz të Grupit Wagner, por për shkak se janë informacione të klasifikuara ajo nuk mund të jap detaje shtesë.

Kurse për zvarritjen e marrëveshjes finale, presidentja Osmani ka deklaruar se është Serbia ajo që po e stagnon procesin.

Për të kërcyer një tango duhen dy. Dhe Serbia tani për tani dëshiron vetëm të krijojë krizë pas krize”, ka theksuar Osmani.

Duke komentuar deklaratat e presidentit rus, Vladimir Putin se pushtimi i Donbasit lidhet me ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë, Osmani është shprehur se ky është ndryshim i madh sepse në Kosovë po ndodhte një gjenocid i vazhdueshëm.

“E vetmja gjë e krahasueshme janë krimet e Vuçiqit dhe Putinit. Bashkësia ndërkombëtare ndërhyri në Kosovë për të ndalur një gjenocid të vazhdueshëm, ndërsa në Ukrainë nuk kishte gjenocid që jepte të drejtën për të marrë territore. Ky është ndryshimi i madh.

Ajo që ndodhi në vitin 1999, një fuqi demokratike erdhi për të luftuar kundër tiranisë, është diçka që Putini nuk e pranon. Për të Kosova është një gabim historik. Ndërsa në vend të kësaj është një demokraci dhe një ekonomi e lirë që respekton të drejtat dhe paqen. Rusia nuk beson në këto vlera, të luftosh Kosovën do të thotë të luftosh këto vlera”, thekson Osmani.

Në pyetjen e gazetës se a është e vërtetë që pakicat në Kosovë shkelen, presidentja Osmani është shprehur se serbët në Kosovë asnjëherë nuk kanë pasur probleme, por se disa nga ta po përdoren si pengje nga Aleksandar Vuçiq.

“Kushtetuta jonë mbron pakicat më shumë se çdo tjetër në Evropë. Ne u frymëzuam nga traditat më të mira të të drejtave të njeriut, sepse donim të ishim të sigurt që të gjithë ndiheshin të sigurt. Serbët nuk kanë pasur kurrë probleme pas luftës: sigurisht që ka pasur incidente, por ato ndëretnike janë 0.03% e totalit dhe janë në rënie. Problemi është se serbët nga veriu janë në kufi dhe Vuçiq i përdor si pengje”, tha Osmani.

E para e vendit është pyetur edhe për drejtuesit e UÇK-së të cilët janë gati të gjykohen në Hagë.

“Drejtësia dhe respektimi i standardeve ndërkombëtare: agresori ishte Serbia, ne u sulmuam. Dhe UÇK-ja bëri luftë çlirimtare për të na mbrojtur. Por ne nuk do të ndërhyjmë në asnjë mënyrë në punën e Gjykatës dhe do të respektojmë vendimin përfundimtar”, është përgjigjur Osmani.

Ish-presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova ka qenë temë e intervistës së presidentes Osmani për gazetën italiane.

“Figura e Rugovës është e vështirë të shpjegohet me fjalë. Ai ishte personi që i jepte zë të pazërit. Ai krijoi aleanca në mbarë botën dhe hapi dyert e vendeve të forta për një komb të vogël si Kosova. I jemi mirënjohës edhe për miqësinë me Gjon Palin II, i cili u tregua një nga mbështetësit më të bindur të lirisë sonë”, ka theksuar Osmani.

Për presidenten e shtetit, “Evropa është e vetmja rrugë që shikohet, nuk ka rrugë tjera. Kosova është i vetmi vend në Ballkan që nuk ka lejuar kurrë asnjë ndikim rus apo kinez. 90% e kosovarëve janë për pozicione evropiane dhe atlantike”, shkruan Corriere Della Sera.

Gazeta në fjalë e ka krahasur presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani me ish-kryeministren e Zelandës së Re për nga mosha e re, por  e cila ka dhënë dorëheqje për shkak të stresit të tepërt.

Në përgjigjen e saj, e para e shtetit ka theksuar se ishte e tronditur kur e ka lexuar vendimin e Jacinda Arden për tu larguar nga pozita e kryeministres, por që nuk e sheh si arsye stresin.

/Shqip.com