Osmani për CNN: Serbia fshihet pas sulmeve në veri, do publikojmë fakte të reja
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka paralajmëruar publikimin e fakteve të reja, përmes të cilave do të vërtetohet përfshirja e Serbisë me sulmin terrorist të ndodhur më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit.
Osmani në një intervistë për Christiane Amanpour në CNN, ka thënë se shteti i Serbisë po fshihet prapa kryeterroristit Milan Radoiçiq, ndërsa ka shtuar se nuk ka ende konfirmim se janë tërhequr trupat e ushtrisë serbe nga kufiri.
“Ai (Radoiçiq) merr pjesë në takimin e Serbisë i ulur në krahun e djathtë të Vuçiqit. Ata fshihen pas Radoiçiqit, kemi prova të cilat do të publikohen në ditët në vijim. Jemi në komunikim me aleatët. Kosova po përballet me sfida sigurie nga Serbia pas aktit të agresionit më 24 shtator. Është urdhëruar nga aparati shtetëror serb, ky akt agresioni nuk ndodhi vetëm një herë, ishte i planifikuar dhe i planifikuar sikur në stilin e Krimesë. Nuk ka ende asnjë konfirmim që kjo [tërheqja e trupave ushtarake serbe] ka ndodhur dhe ne po punojmë shumë ngushtë me aleatët tanë për ta konfirmuar”, deklaroi presidentja Osmani.
Ajo ka deklaruar se përmes sulmeve terroriste ndaj Kosovës, Serbia do t’ia hapë rrugën Putinit rus që të hap një front të ri kundër Perëndimit, në Ballkanin Perëndimor.
“Për të ndaluar këto akte agresioni, duhet sanksionuar e ndëshkuar Serbinë, por nëse nuk ka ndëshkim, ata do të inkurajohen që të përdorin dhunën, jo vetëm në Kosovë, por në rajon”, potencoi ajo.
/Shqip.com