Lajme

Osmani: Nuk ka refuzim nga Kosova për çështjen e gazsjellësit nga SHBA, ka vetëm studim nga ekspertët

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka thënë se nuk ka refuzim nga Kosova për çështjen e projektit për gazsjellësin nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pëcjell Shqip.com.

Sipas Osmanit, sa i përket aspektit gjeopolitik, Kosova nuk ka rrugëdalje tjetër, përpos që të bashkëpunojë me SHBA-të për këtë çështje, por që për këtë tha se ka studim nga ekspertët dhe ministritë përkatëse.

 “Jo nuk mund të them që ka refuzim. Thjesht, ka studim të ekspertëve dhe të ministrive përkatëse, të cilat janë në diskutim të përditshëm me shtetin amerikan, në mënyrë që e gjitha të sqarohet. Mirëpo asnjëherë deri tani unë nuk kam dëgjuar ndonjë refuzim nga ana e qeverisë së Kosovës. Megjithatë ka kohë për përgjigje. Sepse afatet kohore për përgjigje janë të qarta nga ana e MCC në këtë rast. Unë kam folur personalisht me MCC dhe po ashtu me përfaqësues të shtetit amerikan, ku personalisht si presidente kam dhënë përkrahjen time nga aspekti gjeostrategjik dhe gjeopolitik, pa hyrë në detaje të implementimit, sepse ato i bëjnë ministritë përkatëse dhe jo presidentja e vendit”, ka thënë Osmani për DË.

Ajo u shpreh se ky vendim për gazësjellësin është vendiom gjeostrategjik tejet i rëndësishëm për Kosovën dhe se si presidente e përkrah këtë, por që janë ekspertët ata që e vlerësojnë implementimin e saj.

“Pra, ata duhet të merren me çështjen e ndërtimit të pipeline-it me çështjen e çmimit, me çështjen e shumave të ndryshme, se sa saktësisht do të blihet, kur pritet të vijë, cilat do të jenë loans që do t’i marrë, etj. Mirëpo në aspektin politik, unë mendoj që ky është një vendim gjeostrategjik tejet i rëndësishëm për Kosovën dhe gjithnjë duhet ta kuptojmë që energjia nuk është vetëm energji, është po ashtu çështje gjeostrategjike. Prandaj, mendoj se për Kosovën nuk mund të ketë rrugëdalje tjetër, përpos bashkëpunimit me SHBA-në. Ky është mendimi im si Presidente e Republikës. Por pastaj unë e kuptoj që ministritë e niveleve më të ulëta mund të kenë edhe shumë pyetje të tjera rreth implementimit dhe çështje të tjera

Unë mendoj që në aspektin gjeostrategjik ky është vendimi që duhet të marrë Kosova. Por nuk pretendoj të jem eksperte e çështjeve të energjisë, prandaj po e pres vlerësimin nga ana e ministrive përkatëse rreth çështjeve të tjera të implementimit, sepse nganjëherë nuk mjafton vetëm vendimi politik, duhet patjetër ta dimë edhe se si implementohet ai vendim dhe të kërkojmë përkrahje edhe më të lartë, dhe financiare nga ana e partnerëve tanë, përfshi edhe Shtetet e Bashkuara në mënyrë që implementime të tilla të jenë të suksesshme. Por, nga aspekti gjeostrategjik, Kosova s’ka pse të shikoj tjetërkund. Shikimin duhet ta mbaj nga Shtetet e Bashkuara”, ka thënë ajo.

Lexo edhe:
Rizvanolli: Vendimi për gazsjellësin nuk mund të merret pa e ditur koston

Ndryshe, të premten, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se projekti për gazsjellësin s’ka të bëjë me gaz amerikan ose të ndonjë shteti tjetër, por që infrastrukturën që do ta sillte gazin natyror.

Sipas saj, ende nuk dihet se çfarë vendimi do të marrë Qeveria e Kosovës për arsye se nuk dihet kosto totale e këtij projekti.

“Po flitet në kohët e fundit për gazin amerikan, duhet sqaruar një gjë kur po flasim për ndërtimin e infrastrukturës nuk jemi duke folur për gazin amerikan ose ndonjë shteti tjetër, opsioni që po diskutohet është ndërtimi i infrastrukturës që do të mundësonte sjelljen e gazit natyror”, tha ajo./Shqip.com