Lajme

Osmani: Nëse dikush dëmtohet nga Open Balkan, Maqedonia e Veriut nuk do të jetë pjesë e iniciativës

Kreydiplomati maqedonas, Bujar Osmani

Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, thotë se nisma e Ballkanit të Hapur synon thellimin e bashkëpunimit ndërmjet vendeve të rajonit, por, sipas tij, “nuk do të jetë i plotë pa pjesëmarrjen e të gjashtë shteteve të Ballkanin Perëndimor.

Osmani tha se Maqedonia e Veriut mund të largohet nga Ballkani i Hapur nëse ndonjë nga shtetet do të dëmtohet, raporton Euronewsalbania.

“Ne si Maqedonia e Veriut nuk do të lejojmë që asnjë vend tjetër të dëmtohet. Ne konsiderojmë se nëse dikush do të dëmtohet, këtu po mendoj edhe për Kosovën për shkak të qëndrimeve të saj ndaj kësaj nisme, atëherë ne nuk do të marrim pjesë në këtë iniciativë. Ne do të jemi rojtarë të mbrojtjes së çdo vendi në Ballkanin e Hapur”, ka theksuar ai.

Më tutje Osmani u shpreh se Maqedonia e Veriut e mbështet Kosovën në të gjitha iniciativat dhe përpjekjet për anëtarësim në institucionet ndërkombëtare si NATO, Këshilli i Evropës dhe liberalizimi i vizave.

/Shqip.com