Lajme

Osmani në takim me presidentin e Maqedonisë së Veriut: Sa më shpejtë të bëhemi pjesë e BE-së, do të pengohet ndikimi rus në rajon

Vjosa Osmani dhe Stevo Pendarovski.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është  takuar me presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.

Ky takim është zhvilluar  në kuadër të Forumit të Prespës për Dialog që po mbahet në Ohër.

Gjatë këtij takimi, Osmani ka rikonfirmuar raportet e shkëlqyera në mes të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, mbështetjen e ndërsjellë drejt integrimit evropian si dhe qëndrimin e përbashkët në raport me situatën e sigurisë në Evropë.

Osmani ka thënë se sa më shpejtë të bëhen pjesë e BE-së, aq më shumë do të pengohet ndikimi rus në rajon

Foto nga takimi

“Sa më shpejtë që vendet e përkushtuara të Ballkanit Perëndimor të bëhen pjesë e BE-së, aq më shumë do të pengohet ndikimi rus në rajon nëpërmjet satelitëve të saj. Me presidentin Pendarovski do ta vazhdojmë komunikimin e ngushtë për t’i përafruar dy vendet tona”, ka theksuar Presidentja Osmani.

Me ftesë të Presidentit Pendarovski, Presidentja Osmani po merr pjesë në Forumin e Prespës për Dialog me temë: Formësimi i të ardhmes së Ballkanit Perëndimor në arkitekturën bashkëkohore evropiane të sigurisë.

Gjatë këtij forumi, Osmani është takuar edhe me të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara, Gabriel Escobar, të dërguarin e posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar, Stuart Peach si dhe me të dërguarin e posaçëm të Gjermanisë, Manuel Sarrazin./Shqip.com