Lajme

Osmani në takim me ambasadorin e Malajzisë shfaq interesim për bashkëpunim në shumë fusha

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është takuar me ambasadorin e Malajzisë në Kosovë, Dato Abdul Malik.

Përmes një njoftimi për media nga zyra e presidentes, thuhet se në këtë takim u shfaq gatishmëri e thellimit të marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Malajzisë.

“Në takim, marrëdhëniet ndërmjet të dy shteteve u vlerësuan të mira, teksa u shfaq gatishmëria për thellimin e mëtejmë të tyre. Presidentja Osmani ka theksuar se Malajzia është një vend mik dhe partner I rëndësishëm në këtë pjesë të Azisë dhe se Kosova është e interesuar për forcimin e partneritetit dhe hapjen e mundësive të reja të bashkëpunimit”, thuhet në njoftimin e ZP-së.

Tutje, nga ZP-ja thuhet se Osmani ka bërë të ditur se Kosova është e interesuar për bashkëpunim me Malajzinë në sektorin e bujqësisë, ekonomisë, tregtisë, arsimit dhe në fusha të tjera me interes të ndërsjellët./Shqip.com