Lajme

Osmani në Pragë, merr pjesë në samitin e parë të Komunitetit Politik Evropian

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani pritet që të marr pjesë në samitin e parë të Komunitetit Politik Evropian(EPC).

Pjesëmarrja e saj vjen pas ftesës së Presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel dhe Kryeministrit të Çekisë, Petr Fiala.

Ky takim inaugurues do të mbledhë krerë shtetesh nga 44 vende të kontinentit evropian me qëllim të nxitjes së dialogut politik dhe forcimit të bashkëpunimit për t’i adresuar çështjet më urgjente të sigurisë dhe stabilitetit në Evropë.

Po ashtu në këtë vizitë është bërë e ditur se Osmani do të zhvillojë takime bilaterale me liderë evropianë për të diskutuar thellimin e bashkëpunimit për tejkalimin e sfidave të përbashkëta.

“Para liderëve evropianë, Presidentja Osmani do ta përçojë mesazhin e përkushtimit të palëkundur të popullit dhe institucioneve të Republikës së Kosovës për integrimin euroatlantik të Kosovës si garanci për paqe të qëndrueshme në rajon dhe më gjerë. Gjatë takimeve bilaterale, Presidentja Osmani do të diskutojë edhe mbështetjen për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare” thuhet në njoftim.

Komuniteti Politik Evropian është platformë për koordinim politik e krijuar mbi bazën e propozimit të presidenti francez, Emmanuel Macron dhe në të cilën do të bashkohen liderët e 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian (BE) dhe liderët e 17 vendeve të tjera evropiane.

Kjo nismë synon nxitjen e dialogut dhe bashkëpunimit për çështje me interes të përbashkët, forcimin e sigurisë, stabilitetit dhe prosperitetit në kontinentin evropian.

/Shqip.com