Lajme

Osmani në Portugali: Synimi primar i Kosovës është anëtarësimi në BE, NATO, INTERPOL

Osmani në takim me ministrin e Brendshëm në Portugali.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se synimi primar i vendit është anëtarësimi në Bashkimin Evropian, NATO, INTERPOL dhe organizata tjera ndërkombëtare, përcjell Shqip.com.

Këto deklarata ajo i ka bërë në vizitën e saj në Portugali ku ka takuar ministrin e Brendshëm, Eduardo Cabrita dhe pjesëtarë të forcave të rendit të këtij shteti, që kanë shërbyer në Kosovë.

Osmani gjatë vizitës së saj në Portugali.

Sipas njoftimit të Presidencës, Osmani ka theksuar se Policia e Kosovës në nivel ballkanik e ka besimin më të lartë të qytetarëve Kosovës.

“Ajo ka vlerësuar marrëdhëniet ndërmjet të dy shteteve, duke u angazhuar për hapjen e një kapitulli të ri bashkëpunimi. Presidentja Osmani ka theksuar se Policia e Kosovës në nivel ballkanik e ka besimin më të lartë të qytetarëve të Kosovës. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ka kërkuar nga ministri Cabrita të shkëmbehen përvojat, në mënyrë që Policia e Kosovës të përfitojë nga ajo portugeze.

Më tej, në këtë takim, Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova është e orientuar qartë në rrugën e saj evropiane dhe se synim primar mbetet anëtarësimi në BE, NATO, INTERPOL dhe organizata të tjera ndërkombëtare”, thuhet në njoftim.

Tutje, Osmani ka falënderuar Portugalinë që është zë i fuqishëm në përkrahje të liberalizimit të vizave dhe të procesit të anëtarësimit në organizata ndërkombëtare./SHQIP.com