Lajme

Osmani në Portugali flet për përballjen e Kosovës me izolim

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe Ministri i Jashtëm i Portugalisë, Augusto Santos Silva

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës në Portugali është takuar me ministrin e Punëve të Jashtme të këtij vendi, Augusto Santos Silva, me të cilin ka diskutuar për mosliberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, njofton Shqip.com.

Sipas Presidentes Osmani, prania e Kosovës me ambasadë në këtë shtet është në funksion të intensifikimit të bashkëpunimit dypalësh dhe kultivimit të marrëdhënieve të mira ndërmjet dy popujve.

Në një njoftim për media nga Zyra e Presidentit thuhet se në takim me kryediplomatin Silva, Osmani ka folur edhe për të arriturat e deritashme të Kosovës, duke potencuar synimin për forcimin e sundimit të ligjit.

Presidentja e Kosovës në Portugali në takim me kryediplomatin e këtij vendi

Po ashtu, Presidentja ka përmendur edhe reformat gjithëpërfshirëse në ekonomi.

Ndërkaq sa i përket sfidave, Osmani ka theksuar se Kosova përballet me izolim, shkaku i mosliberalizimit të vizave, duke potencuar faktin se tashmë janë plotësuar të gjitha kriteret.

“Ndërkaq sa i përket dialogut me Serbinë, Presidentja Osmani ka theksuar se ai domosdoshmërisht duhet të finalizohet me marrëveshje për njohje reciproke”, thuhet në njoftim.

Osmani ka kërkuar mbështetjen e Portugalisë në rrugën evropiane të Kosovës, si dhe anëtarësimit në organizata ndërkombëtare. /Shqip.com