Lajme

Osmani: Në Kosovë 86 për qind e rasteve të trafikimit janë gra

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se institucionet e Kosovës duhet të tregojnë gatishmëri kundër fenomeneve të rrezikshme.

Ajo në lansimin e fushatës për këtë çështje në Ditën e Bashkimit Evropian për Antitrafikim ka kërkuar vëmendje më të lartë në luftën kundër trafikimit me qenie njerëzore.

“Në kohën kur fenomene të rrezikshme janë bërë të pranishme, atëherë edhe institucionet tregojnë gatishmëri kundër dukurive të tilla. Kjo dëshmon gatishmërinë për t’u përballur me një dukuri të tillë. Trafikim përbën jo vetëm një krim por edhe sfidë të shoqërisë sonë. Duke pasur parasysh edhe krizën në Ukrainë e cila ka cenuar rendin dhe sigurinë, ajo e ka zgjeruar edhe rrugën për trafikim me njerëz”, tha Osmani.

“Trafikimi në Ukrainë është rritur shumë, të cilat miliona gra kanë lënë shtëpitë e tyre e kanë rënë pre e trafikimit me qenie njerëzore. Sikurse dihet se biznese të shumta përfitojnë nga pabarazia sociale, dhe ata e përdorin kategoritë e varfra, të cilët më pastaj pasurohen në mënyrë të parregullt”, tha Osmani.

Ajo tha se në Kosovë 86 për qind e rasteve të trafikimit janë gra, dhe 60 për qind prej tyre shfrytëzohen seksualisht.

“Rreth 27 milionë njerëz trafikohen në vit anë mbanë botës. Prej tyre shumë gra trafikohen që për synim kanë dhunimin. Në Kosovë 86 për qind e rasteve të trafikimit janë gra e vajza, dhe mbi 60 për qind prej tyre janë nën moshen 18 vjeçare.”, tha Osmani.

Ndërsa, Kurti ka thënë se vetëm këtë vit kemi 15 viktima të trafikimit – 14 prej të cilave vajza.

Sipas tij, 11 nga viktimat janë shfrytëzuar për prostitucion të detyruar, tre për punë të detyruar e një për kërkim-lëmosh.

“Si numra mund të mos duken shumë, por pas këtyre numrave kemi emra e mbiemra, kryesisht fëmijë. Prandaj luftimi i këtij krimi është urgjent e i domosdoshëm. Eliminimi është i vështirë por angazhimi i qeverisë është që të bëjë përpjekje maksimale në plotësimin e standardeve që kërkohen në fushën e luftimit të trafikimi me qenie njerëzore”.

Tutje, ai tha se viktimat e trafikimit me njerëz janë vendase e të huaja, ku siç tha, trafikohen me premtime për martesë e punësim si valltare e këngëtare dhe i detyrojnë ato për trafikim seksual në shtëpi, klube nate e sallone masazhi.

/Shqip.com