Lajme

Osmani në Harvard: Jemi duke kërkuar modalitetet për t’iu bashkuar Marrëveshjes së Parisit

Vjosa Osmani - Presidente e Republikës së Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në fjalimin e sotëm në Universitetin e Harvardit, ku ishte folëse kryesore në Global Empowerment Meeting, ka elaboruar rreth ndryshimeve klimatike, si dhe ndryshimet që do të bëhen në Kosovë sa i përket çështjes energjetike.

“Kosova e kupton mirë rëndësinë e luajtjes së një roli aktiv në këtë betejë ekzistenciale. Përmes Këshillit Kombëtar për Ndryshimet Klimatike, institucionet e Kosovës kanë bashkuar forcat për të identifikuar skenarët që na ndihmojnë në përpjekjet tona për të luftuar ndryshimet klimatike”, tha Osmani.

Më tej Osmani ka thënë se “në përputhje me kërkesat e Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë – një organ që lehtëson pajtueshmërinë e ligjeve tona për energjinë dhe klimën me ato të BE-së, Kosova tani po punon drejt finalizimit të Planit të saj Kombëtar të Energjisë dhe Klimës 2025-2030”.

Ajo ka shtuar se aleancat më të forta ndërtohen në bazë të vlerave të përbashkëta.

“Ndërsa kërkojnë të kenë sukses në këtë sipërmarrje madhore, aleancat kthehen në një faktor përcaktues. Vitin e kaluar, në bisedimet me një mik të dashur të Kosovës, ish-sekretarin John Kerry, aktualisht i dërguari i posaçëm presidencial i SHBA-së për Ndryshimet Klimatike, diskutuam përfitimet e anëtarësimit të Kosovës në Betimin Global të Metanit.

Jam e lumtur të raportoj si rezultat i përkushtimit të institucioneve tona dhe partneritetit tonë shembullor me SHBA-në, Kosova i është bashkuar zyrtarisht grupit të vendeve që angazhohen për të frenuar emetimet e metanit – tani e konsideruar gjerësisht si mënyra e vetme më e shpejtë dhe më efektive për të kufizuar ngrohjen”, tha ajo.

Sipas të parës së shtetit, ulja e përdorimit të qymyrit, konsiston në investime në energjinë e rinovueshme, në efiçencën e energjisë dhe në ekonominë rrethore.

Presidentja Osmani tha se ekziston vullneti për t’u angazhuar në një tranzicion të gjelbër për të fuqizuar më tej idenë e një Kosove më të gjelbër, ne të gjithë e dimë se duhet shumë më tepër se kaq për të fituar rastin realisht.

/Shqip.com