Osmani: Në ditët tona më të errëta, familja Biden u ka dhënë dritë njerëzve të Kosovës
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në ceremoninë e dorëzimit të medaljes post-mortem për Beau Biden, djalin e presidentit amerikan, Joe Biden, ka thënë se familja Biden u ka dhënë dritë njerëzve të Kosovës në ditët e tyre më të errëta.
Ajo ka deklaruar se janë të paktë njerëzit sikur i ndjeri Joseph Robinette “Beau” Biden III (i treti), të cilët e kanë shfaqur aq fuqishëm këtë përkushtim ndaj vendit dhe shërbimit për të, duke shërbyer si kapiten në Gardën Kombëtare të Ushtrisë Delaware, në Irak, pastaj si prokuror në zyrën e prokurorit amerikan në Philadelphia për nëntë vjet, dhe si i zgjedhur dy herë në pozitën e Prokurorit të Përgjithshëm në Delaware.
Osmani ka shtuar se në Kosovë, Beau Biden “punoi për ta ngritur një sistem gjyqësor të pavarur dhe profesional, si dhe për ta forcuar sundimin e ligjit”.
Andaj, ajo është shprehur e nderuar që “sot, së bashku me ju, mund t’ia njohim meritat Beau Bidenit dhe ta festojmë zyrtarisht kontributin e tij për vendin tone”.
“Sundimi i Ligjit, siç e dini, nuk është vetëm temë e rëndësishme për mua, por diçka së cilës ia kam kushtuar gjithë karrierën time profesionale. Kërkimi i drejtësisë dhe forcimi i sundimit të ligjit nuk është vetëm një lëndë abstrakte teorike apo akademike; kjo është një temë kaq e rëndësishme për mua ngaqë besoj se duhet të jetë synim i yni i përhershëm e t’i përcaktojë veprimet tona, meqë ndikon drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve tanë. Unë besoj se sundimi i ligjit është parakushti themelor për suksesin tonë si vend”.
Ajo tutje është shprehur se krijimi i institucioneve dhe trajnimi i gjyqtarëve, të cilin, së bashku me kolegët e tjerë amerikanë, Beau Biden e filloi para pavarësisë, sot përbën njërën ndër shtyllat kryesore të institucioneve më të rëndësishme të Kosovës.
“Dëshira për ta forcuar më tej sundimin e ligjit u bë jashtëzakonisht e qartë në kutitë e votimit në fillim të këtij viti. Qytetari ynë foli zëshëm, prandaj është detyra jonë morale dhe politike që, si institucione, të sigurojmë se do të vazhdojmë përpara me reformat në sistemin tonë të drejtësisë”.
“Përveç marrëdhënieve personale dhe mirënjohjes për kontributin e jashtëzakonshëm të njerëzve të ndryshëm nga SHBA-ja në tri dekadat e fundit, unike mbetet edhe lidhja dhe dashuria e vërtetë që dy vendet tona kanë për njëra-tjetrën”.
Osmani ka theksuar se kontributi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe i popullit amerikan për Kosovën, e tejkalon raportin e partneriteteve, të tilla çfarë i njeh bota.
“Në ditët e mira, në të këqijat, në dritë dhe në errësirë, ne e ndiejmë dorën tuaj mbi supet tona.
Zoti President, më lejoni t’jua them juve dhe gjithë qytetarëve të Shteteve të Bashkuara: Kosova është edhe shtëpia juaj. Burrave e grave të vendit tuaj, anëtarëve të stafit tuaj, stafit diplomatik dhe gjithë njerëzve të Amerikës, të cilët dëshirojnë ta vizitojnë këtë vend, u themi se do t’i shohim gjithmonë sikur të ishin njëri prej nesh. Institucionet tona dhe, më e rëndësishmja, secili qytetar yni, do t’i mirëpresë ata përherë krahëhapur”.
“Flamujt amerikanë do të vazhdojnë të valëviten lart dhe me krenari në të gjithë Republikën e Kosovës – kjo është mënyra jonë për të treguar mirënjohjen tonë për mbështetjen që ju na keni dhënë për dhjetëvjetësha të tërë përmes njerëzve si Beau dhe çdo qytetari tjetër të Shteteve të Bashkuara, që ka kontribuar për paqen, sigurinë dhe shtetësinë tone”.
“Sa i takon Beau, mund ta themi me përulje se trashëgimia e tij vazhdon të jetojë – veprimet e tij vazhdojnë të na frymëzojnë ne në Kosovë, sikur i frymëzojnë edhe qytetarët e Shtetet e Bashkuara, të cilëve mundi t’ua ndryshonte jetën”.
Osmani ka thënë se si djali i tij i, Beau, edhe vetë Presidenti Biden ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për vendin tonë.
“Presidenti Biden njëherë tha se “Beau ishte shpirti im”, është e qartë se puna dhe angazhimi i Beau vazhdon ta frymëzojë edhe vetë Presidentin Biden. Ai vetëm pak kohë më parë më shkroi: ”Kosova ka një vend të veçantë për familjen Biden, për nder të kohës që djali ynë i ndjerë, Beau Biden, kaloi atje, duke punuar për të siguruar paqe, drejtësi dhe sundim të ligjit për të gjithë njerëzit e Kosovës.”
“Ndërsa, gjatë një vizite të mëhershme në Kosovë, në kujtim të djalit të tij, Presidenti Biden tha: “Beau e donte këtë vend, Kosovën. Këtu ai nisi t’i donte njerëzit, kishte një ndjenjë të fortë të lidhjes me ta”.
“Siç e dinë shumë mirë miqtë dhe partnerët tanë ndërkombëtarë, Kosova është një vend i vogël, por me zemër të madhe. Shumë, nëse jo të gjithë, bien në dashuri me vendin tonë, njerëzit tanë dhe traditat tona, kur u jepet mundësia të kalojnë kohë këtu”.
“Prandaj, në emër të popullit të Kosovës dua t’ju siguroj se, sikur që Kosova zë vend të veçantë në zemrat e familjes Biden, edhe familja Biden dhe populli amerikan zënë vend të veçantë në zemrat tona”.
“Ashtu si djali i tij i dashur, Beau, edhe vetë Presidenti Biden ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për vendin tonë. Siç e them shpesh, Joe Biden ishte zëri ynë kur ne nuk kishim zë. Ai luftoi për ta kthyer vëmendjen drejt Kosovës kur të tjerët, gjithandej botës, nuk ishin të gatshëm të na përkrahnin në luftën tonë kundër diskriminimit sistematik dhe segregacionit, të kryera nga regjimi i atëhershëm i Millosheviçit. Joe Biden ishte avokat i zëshëm yni në Senat për ndërhyrjen e NATO-s, në vitin 1999, e cila i dha fund luftës dhe gjenocidit në Kosovë”.
Beau Biden ka vdekur nga kanceri në tru në vitin 2015. Ai ka shërbyer në Kosovë pas mbarimit të luftës, përkatësisht më 2001, në trajnimin e gjykatësve dhe prokurorëve vendorë.
Ndërsa, kjo është hera e dytë që Kosova nderon atë. Më 2016, në vitin e fundit të Bidenit si nënpresident amerikan, ai, së bashku me familjen e tij, kanë vizituar Kosovën, për të inauguruar rrugën Beau Biden afër kampit Bondsteeel./SHQIP.com