Lajme

Osmani ndanë medaljen “Urdhri i Lirisë” për veprimtarin Xhim Xhema

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka ndarë medaljen “Urdhri i Lirisë” veprimtarit të mërgatës shqiptare në Amerikë, Xhim Xhema.

Kjo është bërë e ditur nga zyra e presidentes ku thuhet se kjo medalje u nda gjatë takimit të Osmanit me delegacionin shqiptaro-amerikan

“Presidentja Vjosa Osmani ia dorëzoi medaljen Urdhri i Lirisë, veprimtarit të njohur të mërgatës shqiptare të Amerikës, z. Xhim Xhema Presidentja Osmani, ka pritur në një takim një delegacion shqiptaro-amerikan, të kryesuar nga veprimtari i njohur i diasporës shqiptare të Amerikës, z. Xhim Xhema, të cilit ia ka dorëzuar medaljen Urdhri i Lirisë, të dhënë me motivacion për kontribut të jashtëzakonshëm për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, thuhet në njoftimin e presidences.

Ndërsa, për Xhemën, Osmani ka thënë se ai ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

“Presidentja Osmani ka theksuar se mërgata shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është urë e fortë lidhëse ndërmjet Republikës së Kosovës dhe popullit shqiptar në Ballkan me aleatin strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ka potencuar se Xhim Xhema është ikonë e mërgata shqiptare në Amerikë, i cili për më shumë se tri dekada ka dhënë një kontribut të pazëvendësueshëm për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”.

Krahas kësaj, zyra e presidencës njofton se në këtë takim, Xhema shprehu mirënjohje ndaj institucioneve të Kosovës.

“Ndërkaq veprimtari Xhim Xhema shprehu mirënjohjen e thellë për Presidenten e Republikës se Kosovës dhe institucionet e Kosovës për mikpritjen dhe respektin. Ai tha se liria dhe pavarësia e Kosovës ka qenë beteja jetësore e tij dhe e të gjithë shqiptaro-amerikanëve”.

Xhema tha se dekorimi me medaljen “Urdhri i Lirisë”, është respekt dhe mirënjohje jo vetëm ndaj tij, por edhe ndaj veprimtarëve shqiptaro-amerikan, të cilët për vite dhe dekada kanë punuar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe për forcimin e marrëdhënieve strategjike në mes të Republikës se Kosovës me Shtetet e Bashkuara te Amerikës.

/Shqip.com