Osmani: Miqësinë me Amerikën e kemi të përjetshme, siç do ta kemi kujtimin për sekretaren Albright
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, sot ishte e pranishme në ceremoninë e varrimit të ish-sekretares amerikane të Shtetit, Madeleine Albright.
Osmani tha se do të jenë gjithmonë falënderues për kontributin e Albright në dhënien fund të gjenocidit serb në Kosovë.
“Sot, në Uashington D.C., i dhamë lamtumirën e fundit mikes së madhe të Kosovës, gardianes së lirisë e demokracisë dhe zërit të fuqishëm të popullit tonë, Madeleine Albright. Jemi përgjithmonë falënderues për kontributin e jashtëzakonshëm të sekretares Albright për t’i dhënë fund gjenocidit serb në Kosovë, si dhe mbështetjes së saj të vazhdueshme për Kosovën e lirë, të pavarur, të zhvilluar e me vendin e merituar në arenën ndërkombëtare”, ka shkruar Osmani në Facebook.
Ajo tha se do të vazhdohet përpjekja e ish-sekretares, për mbrojtjen e demokracisë dhe se kujtimi për të do të jetë i përjetshëm.
“Sekretarja Albright e njohu dhimbjen e popullit tonë, e ne do ta vazhdojmë përpjekjen e saj, për ta avancuar dhe për ta mbrojtur demokracinë! Miqësinë me Amerikën e kemi të përjetshme, siç do ta kemi kujtimin për sekretaren Albright”, shkruan Osmani.
Theksojmë se në ceremoninë e varrimit të Albright janë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti.
Albright ka ndërruar jetë më 23 mars në moshën 84 – vjeçare.
Ajo vdiq nga kanceri, u bë e ditur në një njoftim të publikuar nga familja Albright në rrjetin social Twitter.
Madeleine Albright u lind në Pragë të Çekosllovakisë së atëhershme më 15 maj 1937. Së bashku me familjen e saj shpërngul në SHBA më 1948.
Madeleine Albright ishte gruaja e parë e zgjedhur në këtë post më 1997. Në këtë post shërbeu deri në vitin 2001, në administratën e Bill Clintonit.
Albright ka qenë sekretare e Shtetit në kohën kur janë kryer sulmet e NATO-s mbi caqet serbe, që kanë çuar në çlirimin e Kosovës.
Për kontributin e saj për çlirimin e Kosovës, më 2019, në përvjetorin e 20-të të hyrjes së trupave të NATO-s, në Prishtinë u zbulua busti për nder të saj.
Po në vitin 2019, Kosova e kishte dekoruar ish-sekretaren Albright me Urdhrin e Lirisë./Shqip.com