Lajme

Osmani: Mësueset e mësuesit tanë janë heronj të dijes

Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka uruar mësimdhënësit me rastin e 7 Marsit- Ditës së Mësuesit.

Sipas Osmanit, mësueset e mësuesit tanë janë dëshmuar në kohë shumë të vështira, ndaj ata janë heronj të dijes.

“136- vjet më parë, në Korçë nisi punën mësonjëtorja e parë shqipe, e cila trasoi rrugën e arsimit shqip gjithandej, duke luajtur rol qenësor në formimin e vetëdijes kombëtare që prej Rilindjes Kombëtare. Mësuese e mësues tanë janë dëshmuar në kohë shumë të vështira, ndaj ata janë heronj të dijes”, ka thënë Osmani.

Osmani ka shtuar se ata nuk janë vetëm persona që japin dituri, por edhe mentorë, udhëzues dhe burim frymëzimi.

“Në këtë ditë, të gjithë jemi mirënjohës për kontributin e çmuar të tyre në formësimin e të ardhmes sonë. Arsimi cilësor është bazamenti i një shteti dhe shoqërie të suksesshme! Mësuese e mësues të dashur, urime 7 Marsi!”, është shprehur Osmani.

/Shqip.com