Lajme

Osmani: Masakra e Dubravës ndër krimet më të tmerrshme të regjimit serb

Vjosa Osmani, presidentja e vendit
Vjosa Osmani, presidentja e Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka përkujtuar 24-vjetorin e Masakrës së Dubravës, duke e cilësuar si një ndër krimet më të tmerrshme të regjimit serb.

Osmani tha se drejtësia për të gjitha viktimat dhe të mbijetuarit “do të jetë triumf i së vërtetës”.

“Afër një muaj përpara se Kosova të bëhej e lirë, makineria e pushtetit gjenocidal të Serbisë, manifestoi egërsinë ndaj të burgosurve shqiptarë në Burgun e Dubravës, me ç`rast në periudhën 19-24 maj 1999, vrau brenda burgut 160 të burgosur shqiptarë dhe plagosi 300 të tjerë”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Osmani në 24-vjetorin e masakrës, ka kujtuar sakrificat, vuajtjet dhe mundimet e të burgosurve që kontribuuan për çështjen kombëtare, “të cilët qëndruan stoikisht e nuk u thyen deri në frymën e fundit”.

“Kujtim dhe nderim i përhershëm për ta, sikurse edhe angazhim i pareshtur për ndëshkimin e këtij krimi duke sjellë autorët para drejtësisë”.

/Shqip.com