Lajme

Osmani-Listës Serbe: Jam komandante supreme e Ushtrisë së Kosovës dhe presidente e të gjithve

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ju është kundërpërgjigjur Listës Serbe duke i thënë se jo vetëm që është presidente e Kosovës dhe qytetarëve të saj por është edhe komandantja supreme e ushtrisë së vendit ku jetojnë disa komunitete.

Në konferencën për media pas takimit me homologun e saj slloven, Osmani tha se Lista Serbe është më së paku përfaqësuese e interesave të serbëve në Kosovë.

“Unë jo vetëm që jam presidente e Republikës së Kosovës e të gjithë qytetarëve padallim, përfshirë të gjithë serbët që jetojnë në Kosovë por jam edhe komandante supreme e ushtrisë së këtij vendi e cila në mesin e saj ka edhe shqiptar, ka edhe serb, ka edhe turq edhe të komuniteteve të tjera”, tha Osmani.

Osmani tha se Lista Serbe është shndërruar në përfaqësuese të interesave të organizatave kriminale të cilat janë në listën e zezë të SHBA-ve.

“Lista Serbe më së paku është përfaqësuese e interesave të serbëve që jetojnë në Kosovë. Lista serbe për fat të keq është shndërruar në përfaqësuese të interesave të organizatave kriminale të cilat janë në listën e zezë të SHBA-ve. Çfarë po ndodhë këto ditë për fat të keq është që qytetarët serb në Kosovë po kërcënohen po frikësohen nga këto struktura ilegale”.

Ajo tha se qytetarët serb nuk po frikësohen nga vetë ajo por nga udhëheqësit e organizatave kriminale.

Presidentja  e Kosovës, Vjosa Osmani ka paralajmëruar vizitë në veri të Kosovës ndërsa, Lista Serbe nuk e ka mirëpritur këtë.

Sipas Listës Serbe, ata nuk i njohin institucionet e Kosovës dhe as Vjosa Osmanin si presidente të tyre./Shqip.com