Lajme

Osmani: Kuvendi i Junikut është shembull i artikulimit të qartë politik të kërkesave të popullit shqiptar për liri

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Kuvendi i Junikut shënon jo vetëm ngjarje të rëndësishme historike, por edhe shembull të artikulimit të qartë politik të kërkesave të popullit shqiptar për liri.

Osmani ka vizituar Junikun së bashku me Presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta, dhe e njëjta ka thënë se duke kujtuar të kaluarën mund ta ndërtojmë të sigurt të ardhmën tonë.

“Kuvendi i Junikut, i mbajtur më 21-25 maj 1912, shënon jo vetëm ngjarje të rëndësishme historike, por edhe shembull të artikulimit të qartë politik të kërkesave të popullit shqiptar për liri. Të prirë nga ideologu i çështjes shqiptare, Hasan Prishtina, dhe të përkrahur nga më shumë se 250 delegatët e trevave shqiptare, përfaqësues të vilajeteve e sanxhaqeve shqiptare si Shkodra e Elbasani, Kuvendi i Junikut paraqet platformë të fuqishme politike, ushtarake dhe kulturore për jetësimin e shtetit të mosvarmë shqiptar. Sot, së bashku me Presidentin Ilir Meta ishim në Junik sepse vetëm duke e kujtuar, rikujtuar e rifreskuar të kaluarën, ne mund ta ndërtojmë të sigurt të ardhmen tonë”, ka shkruar Osmani.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta

Kuvendi u mblodh në Junik më 21-25 maj 1912 me nismën e Hasan Prishtinës dhe në të morën pjesë 250 delegatë nga Vilajeti i Kosovës, sanxhakët e Dibrës, të Shkodrës dhe të Elbasanit.

Falë përpjekjeve të Hasan Prishtinës, Bajram Currit dhe Isa Boletinit u paralizuan veprimet e elementëve turkomanë në radhët e lëvizjes. Shumica e pjesëmarrësve të Kuvendit vendosën të vazhdohej kryengritja e armatosur, kësodore u lidh besa dhe u vendos të ndërmerrej një kryengritje e përgjithshme.

Kuvendi miratoi programin politik i cili përmbante kërkesa për autonominë e Shqipërisë, vendosjen e administratës shqiptare, caktimin e gjuhës shqipe me alfabet kombëtar si gjuhë zyrtare, ngritjen e flamurit shqiptar në gjithë vendin dhe garancinë e Fuqive të Mëdha për plotësimin e këtyre kërkesave./Shqip.com

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta