Lajme

Osmani kujton viktimat e 11 shtatorit në SHBA: Mon Gjonbalaj në vend të pensionit fitoi përjetësinë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Presidentja Vjosa Osmani ka përkujtuar viktimat e sulmit terrorist të 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

E para e shtetit ka shkruar në Facebook se Kosova i qëndron në krah Amerikës në luftën kundër terrorizmit.

“Jemi në krah të popullit amerikan, sikurse çdo herë dhe partnerë të vendosur kundër terrorizmit dhe çfarëdo forme që cenon lirinë e të tjerëve. Amerika është personifikim i lirisë, ndaj në mbrojtje të saj jemi gjithnjë bashkë!”.

“Shkallët e mbijetesës, druri i vetëm i mbijetuar, fotografi të të zhdukurve, një automjet zjarrfikësish përbëjnë një pjesë të ekspozitës së tmerrit nga sulmet e 11 shtatorit 2001. E kaluara gërshetohet me të tashmen, dhimbja me krenarinë, kujtesa me të sotmen, jonjerëzorja me njerëzoren”.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në SHBA

“Mbi të gjitha, flamuri amerikan kudo si shenjë e mbijetesës se Amerika dhe bota civilizuese nuk zmbrapsen para qëllimeve dashakeqe të forcave të errëta, të cilat janë kundër lirisë. Rrëfimi i të birit të një zjarrfikësi amerikan, rrëqethës e frymëzues, njëkohësisht. Ata që janë reaguesit e parë, të parët e panë tmerrin, të parët e ndjenë dhimbjen e disa nga ta u bën pjesë e dhimbjes”.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në SHBA

Ajo ka përmendur edhe Mon Gjonbalajn, njërin nga shqiptarët që ka vdekur si pasojë e sulmit.

“Jetë njerëzish u shuan nga sulmi terrorist, në mesin e të cilëve edhe tre shqiptarë. Mon Gjonbalaj nuk arriti ta gëzoj pensionimin. Të njëjtën ditë në vend të pensionit fitoi përjetësinë”, ka shkruar Osmani.

Sulmet e 11 shtatorit janë një seri sulmesh të koordinuara terroriste, të udhëhequra nga grupi terrorist Al Kaeda, kundrejt Shteteve të Bashkuara.

Objekte të sulmit ishin ndërtesa të rëndësishme në ShBA, si Kullat Binjake ku ishte vendosur Selia e Organizatës Botërore të Tregtisë në Nju Jork, ndërtesa e Pentagonit si dhe Shtëpia e Bardhë.

Sulmi ndaj Kullave Binjake ishte kryer më 11 shtator 2001 nga një grup prej 19 vetash, 15 prej të cilëve ishin nga Arabia Saudite, dy nga Emiratet e Bashkuara Arabe, një nga Egjipti dhe një nga Libani.

Fillimisht njëri aeroplan i rrëmbyer ishte përplasur mbi kullën veriore të Qendrës Botërore të Tregtisë në Nju Jork, duke krijuar një çarje të thellë në faqen e ndërtesës dhe duke shkaktuar zjarr, kurse 17 minuta më vonë, një aeroplan tjetër pasagjerësh ishte përplasur mbi kullën jugore.

Në sulmin e 11 shtatorit humbën jetën rreth tre mijë persona.

Në mesin e viktimave në Kullat Binjake ishin 343 zjarrfikës dhe 60 policë. Pjesa më e madhe e viktimave ishin civilë të 70 kombësive të ndryshme, ndër ta ishin edhe tre shqiptarë./Shqip.com