Lajme

Osmani: Kryetarët në veri janë të detyruar të betohen brenda afatit

Vjosa Osmani - Presidente e Republikës së Kosovës
Vjosa Osmani - Presidente e Republikës së Kosovës

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka thënë kryetarët e komunave veriore janë të detyruar që brenda afateve të caktuara ligjore ta bëjnë betimin e tyre.

Osmani ka thënë se pret që të gjitha procedurat të shkojnë pa ndonjë problem dhe pa tensione teksa sipas saj, zgjedhjet në veri janë mbajtur sepse ashtu kërkon Kushtetuta dhe legjislacionet në fuqi.

E para e shtetit shtoi se sa e rëndësishme është tani që kryetarët e zgjedhur të punojnë me qytetarët që banojnë në katër komunat veriore dhe t’i bindin që të gjitha projekt janë në të mirë të tyre.

“Siç e dini zgjedhjet janë mbajtur për shkak se Kushtetuta jonë dhe legjislacioni në fuqi kërkon që të mbahen zgjedhjet sa herë që një kryetar komune jep dorëheqje. Ajo që e ka krijuar këtë situatë ka qenë dorëheqja e ish kryetarëve të komunave veriore. Në këtë situatë ne kemi pasur obligime kushtetuese dhe ligjore dhe institucionet e sigurisë kanë bërë çmos që dita e zgjedhjeve të shkojë pa as një problem.

Tash jemi në një situatë ku përkundër përqindjes së vogël ligji nuk kërkon ndonjë përqindje të caktuar të pjesëmarrjes. Dhe kryetarët dhe të gjithë të zgjedhurit kanë detyrim që brenda afateve ligjore ta bëjnë betimin dhe të fillojnë punën e tyre”, tha presidentja Osmani.

Ajo tha se bojkoti i zgjedhjeve nga qytetarëve serbë ka qenë pa vullnetin e tyre, i iniciuar nga presidenti serb Alksandar Vuçiq dhe se është zbatuar nga strukturat ilegale në veri.

“Bojkoti i qytetarëve serb atje nuk ka qenë vullnetar ka qenë bojkot i detyruar i cili është nxitur nga Vuçiq në Serbi dhe është zbatuar nga strukturat e tij ilegale dhe kriminale në veri të Kosovës të cilët vazhdimisht kanë frikësuar, shantazhuar dhe kërcënuar qytetarët serb në veri”, përfundoi Osmani.

/Shqip.com