Lajme

Osmani: Kolë Berisha – ndër veprimtarët më të shquar të lëvizjes për pavarësinë e Kosovës

Ish-kryeparlamentari i Kosovës, Kolë Berisha

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me anë të një telegrami ka ngushëlluar familjen, miqtë e bashkëpunëtorët me rastin e ndarjes nga jeta të ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, njofton Shqip.com.

“Me pikëllim të thellë e mora lajmin për ndarjen nga jeta të Kolë Berishës, njërit ndër veprimtarët më të shquar të lëvizjes për pavarësinë e Kosovës, bashkëpunëtorit e bashkëmendimtarit të presidentit historik, dr. Rugovës, njeriun e urtë e njeriun e paqes, i cili tërë jetën ia kushtoi lirisë së vendit të tij”, thuhet në telegramin e Presidentes Osmani.

Në telegram thuhet se vepra e Berisha ishte shumëdimensionale.

“Mësues i hershëm dhe idealist i madh, autor tekstesh letrare e veprimtar i pashoq politik, pajtues gjaqesh e urë lidhëse mes njerëzish, kryetar i dytë i Kuvendit të Republikës së Kosovës e politikan i urtë, bacë Kola dha shembullin e njeriut i cili beson në idealin e lirisë dhe ia kushton tërë jetën asaj. Ndarja nga jeta e tij të lërë zbrazëti të madhe në jetën tonë publike. I përjetshëm qoftë kujtimi për të!”, thuhet në fund të telegramit të Osmanit.

Kolë Berisha ndërroi jetë sot, pas një sëmundjeje të rëndë me të cilën po përballej për një kohë të gjatë.

Varrimi I të ndjerit do të bëhet nesër vetëm nga familjarët e ngushtë për shkak të gjendjes me COVID-19. /Shqip.com