Lajme

Osmani: Japonia është një aleate dhe partnere e besueshme e Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, dhe ambasadori i ri i Japonisë, Ryuta Mizuuchi
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, dhe ambasadori i ri i Japonisë, Ryuta Mizuuchi

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, pranoi letrat kredenciale nga ambasadori i ri i Japonisë, Ryuta Mizuuchi, i cili ia përcolli urimet e Perandorit Naruhito për 15-vjetorin e pavarësisë.

Në takim më ambasadorin Mizuuchi, ajo theksoi se Japonia është një aleate dhe partnere e besueshme e Kosovës.

Gjithashtu, Osmani falënderoi Japoninë për mbështetjen e deritashme, duke potencuar rëndësinë e kësaj mbështetjeje përderisa Kosova vazhdon angazhimin drejt anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.

Ajo vlerësoi lartë edhe kontributin e Japonisë dhe mbështetjen e ofruar Kosovës në fushën e mbrojtjes së mjedisit, shëndetësisë, mediave, si dhe mbështetjes së rinisë përmes bursave dhe programeve për shkollim e avancim“, thuhet në njoftim për media.

Tutje, në takim u diskutua për mundësitë e shumta të intensifikimit të bashkëpunimit bilateral. “Presidentja Osmani theksoi se ka potencial të madh për investime të mëtejshme të investitorëve japonez në fusha si teknologjitë e rinovueshme, turizmi malor, infrastrukturë, arsim, teknologji informative dhe sfera të tjera të interesit të dyanshëm“, thuhet tutje në njoftim.

Osmani potencoi se Japonia ka qenë dhe mbetet një shtet mik dhe aleat strategjik i Kosovës, ndërsa me ambasadorin Mizuuchi u dakorduan për koordinim të ngushtë drejt hapjes së kapitujve të rinj të bashkëpunimit.

/Shqip.com