Lajme

Osmani: Institucionet njëzëri refuzojnë mbajtjen e referendumit serb në Kosovë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se institucionet e Kosovës njëzëri refuzojnë mbajtjen e referendumit të Serbisë në Kosovë në kundërshtim me normat kushtetuese dhe praktikën ndërkombëtare.

Këto deklarata ajo i bëri pasi që Kuvendi me 76 vota pro dhe një abstenim, miratoi rezolutën për mosmbajtjen e referendumit serb në Kosovë.

Lexo edhe:
Kuvendi miraton rezolutën për mosmbajtjen e referendumit serb në Kosovë

Përmes një postimi në Facebook, Osmani tha se mirëpret konsensusin mes grupeve parlamentare në Kuvendin e Kosovës si dhe miratimin e kësaj rezolute.

“Do të vazhdojmë bashkëpunimin me aleatët tanë në fuqizimin e sovranitetit dhe ruajtjen e integritetit territorial të Kosovës ndaj veprimeve destabilizuese dhe të njëanshme të Serbisë”, shkroi ndër tjerash ajo.

Ndërkaq, pikat e rezolutës që u miratua në Kuvend janë këto:

Kuvendi i Republikës së Kosovës, si përfaqësues i qytetarëve të Republikës së Kosovës, shprehë qëndrimin e përbashkët se organizimi i referendumit të Republikës së Serbisë në Republikën e Kosovës cenon sovranitetin dhe rendin Kushtetues të Republikës së Kosovës, si dhe është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, ligjet e Kosovës, si dhe me normat dhe praktikat ndërkombëtare;

Kuvendi i Republikës së Kosovës kërkon nga Qeveria dhe institucionet gjegjëse të Republikës së Kosovës që të ndërmarrin të gjitha veprimet brenda kompetencave të tyre për të mos lejuar cenimin e sovranitetit dhe rendit kushtetues të Republikës së Kosovës, nga mbajtja e referendumit të një shteti të huaj në territorin e Republikën së Kosovës;

Kuvendi thekson përkushtimin e Republikës së Kosovës për të garantuar dhe mbrojtur të gjitha të drejtat e shtetasve të Republikës së Kosovës në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës;

Në këtë frymë, Kuvendi i Republikës së Kosovës afirmon të drejtën e qytetarëve me dyshtetësi të Republikës së Kosovës, që të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në përputhje me standardet kushtetuese dhe praktikat ndërkombëtare. Në rastin konkret, të gjithë qytetarët e Kosovës që kanë edhe shtetësinë e Serbisë u garantohet e drejta që të votojnë nëpërmjet postës dhe Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë.

Kuvendi thekson se hapja e qendrave të votimit të Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës, sikundër edhe përfshirja e grupacioneve apo strukturave ilegale në një organizim të tillë përbën shkelje të qartë të Kushtetutës dhe ligjet e Republikës së Kosovës, si dhe praktikave ndërkombëtare.

Kuvendi i Republikës së Kosovës shprehë kundërshtim ndaj veprimeve të vazhdueshme të Serbisë për të instrumentalizuar dhe keqpërdorur qytetarët serb të Republikës së Kosovës, në shërbim të politikave të veta armiqësore kundër Republikës së Kosovës;

Kuvendi i Republikës së Kosovës mirëpret qëndrimet e prera të bashkësisë ndërkombëtare për sundimin e ligjit në Kosovë dhe pret mbështetjen për të drejtat legjitime dhe qasjen parimore të Republikës së Kosovës, meqë vetëm duke trajtuar në mënyrë të barabartë të gjitha shtetet e rajonit mund të garantohet stabiliteti, demokracia dhe fryma euro-atlantike e rajonit tonë, gjithashtu kërkon nga Qeveria të vazhdojë bashkërendimin me partnerët strategjik të Kosovës në interes të ruajtjes së kushtetueshmërisë dhe sovranitetit shtetëror;