Osmani ia dorëzon Kosnettit Medaljen Presidenciale për Beau Biden
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në një ceremoni shtetërore ia ka dorëzuar Medaljen Presidenciale për Sundim të Ligjit, Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Philip Kosnett, për Beau Biden, djalin e Presidentit amerikan, Joe Biden, njofton Shqip.com.
Në fjalën e saj, Osmani është shprehur mirënjohëse ndaj familjes Biden, duke thënë se kjo e fundit u ka dhënë dritë njerëzve të Kosovës në ditët e tyre më të errëta.
Ajo ka deklaruar se janë të paktë njerëzit sikur i ndjeri Joseph Robinette “Beau” Biden III (i treti), të cilët e kanë shfaqur aq fuqishëm këtë përkushtim ndaj vendit dhe shërbimit për të, duke shërbyer si kapiten në Gardën Kombëtare të Ushtrisë Delaëare, në Irak, pastaj si prokuror në zyrën e prokurorit amerikan në Philadelphia për nëntë vjet, dhe si i zgjedhur dy herë në pozitën e Prokurorit të Përgjithshëm në Delaware.
Osmani ka shtuar se në Kosovë, Beau Biden “punoi për ta ngritur një sistem gjyqësor të pavarur dhe profesional, si dhe për ta forcuar sundimin e ligjit”.
Kurse, ambasadori amerikan, Philip Konsett, ka thënë se është i nderuar që do të pranojë medaljen e ndarë për Beau Biden.
“Me të vërtet është nderë i veçantë për mua që ta pranojë këtë medalje në emër të Presidentit Biden. Beau Biden përfaqësonte më të mirën që ka Amerika. Ai e dinte se për të ecur përpara Amerika, amerikanët duhet të angazhohet në të gjithë botën. Për këtë arsye mijëra amerikanë si Beau Biden, disa me çizme të ushtrisë e disa me rroba pune, kanë shërbyer kaq shumë në Kosovë për dy dekada me radhë.
Ata kanë punuar krahë për krahë me miqtë kosovarë për të siguruar lirinë e pavarësinë e Kosovës, për ta shtyrë Kosovën drejt qëndrueshmërisë ekonomike”, ka deklaruar Kosnett, duke shtuar se SHBA-ja dhe Kosova do ta vazhdojnë partneritetin në mes tyre dhe do ta forcojnë në vitet e ardhshme.
Presidenti Joe Biden, në video-mesazhin dërguar Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, është shprehur se familja e tij ndjehet mirënjohëse për të gjithë njerëzit e Kosovës me të cilët Beau ra në dashuri me ta.
“Beau ka besuar aq thellë në pavarësinë dhe demokracinë e Kosovës. Si avokat në kuadër të Departamentin Amerikan të Drejtësisë ai ishte vullnetar që të shkoj Kosovë dhe ta jap kontributin për pavarësinë dhe demokracinë tuaj por mbi të gjitha sundimin e ligjit”, ka theksuar ai.
Në këtë ceremoni përveç presidentes Vjosa Osmani dhe ambasadorit Kosnett, morën pjesë edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, kryeministri Albin Kurti dhe përfaqësues të institucioneve dhe partive politike.
Beau Biden ka vdekur nga kanceri në tru në vitin 2015. Ai ka shërbyer në Kosovë pas mbarimit të luftës, përkatësisht më 2001, në trajnimin e gjykatësve dhe prokurorëve vendorë.
Ndërsa, kjo është hera e dytë që Kosova nderon atë. Më 2016, në vitin e fundit të Bidenit si nënpresident amerikan, ai, së bashku me familjen e tij, kanë vizituar Kosovën, për të inauguruar rrugën Beau Biden afër kampit Bondsteeel./SHQIP.com