Lajme

Osmani – Hillit: Kushdo që mendon se Serbia është më afër NATO-s i ofendon shtetet demokratike

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, sot i është përgjigjur deklaratës së ambasadorit amerikan në Beograd, Christopher Hill, që Serbia është më afër NATO-s sesa Kosova.

Osmani tha se kushdo që mendon kështu i ofendon shtetet demokratike që bëjnë hapa drejt NATO-s.

“Kushdo që e konsideron Serbinë që është shtet afër NATO-s nuk e ofendon vetëm çdo shtet demokratik që po bën hapa konkretë drejt anëtarësimit në NATO, por njëkohësisht është duke i ofenduar edhe viktimat e Serbisë së Millosheviqit, që është njëjtë sot siç ka qenë edhe para disa dekadave”, tha Osmani.

Lexo edhe:
Hill: Aktualisht Serbia është më afër NATO-s se Kosova

Ajo tha se më larg nga NATO sesa Serbia është vetëm Rusia dhe shtoi se Serbia as vetë nuk dëshiron të jetë pjesë e Aleancës.

“Ekziston vetëm një shtet që është më larg NATO-s dhe ajo është Rusia e Putinit. Një shtet si Serbia, i cili vazhdimisht ka shkelë vlerat kryesore mbi të cilat qëndron NATO-ja, pra mbrojtjen nga forcat autoritare, mbrojtjen nga shtetet të cilat shkelin të drejtat bazike të së drejtës ndërkombëtare siç është Serbia, lëre që është larg NATO-s, por as mund të ëndërrojë një ditë të jetë pjesë e NATO-s. Për shkak se është pikërisht anti vlerave të NATO-s, Serbia nuk ka shprehur ndonjëherë gatishmëri për anëtarësim në NATO. Pra, është i vetmi shtet i Ballkanit Perëndimor që vazhdimisht ka deklaruar se nuk do të anëtarësohet në NATO, sepse është kundër NATO-s”.

Osmani tha se Serbia është një shtet, i cili para pak muajsh ka kryer akt agresioni dhe se vazhdimisht tenton ta shkatërrojë Bosnje e Hercegovinën përbrenda dhe të njëjtën e bën edhe me Malin e Zi.

Ajo shtoi gjithashtu se Serbia kurrë s’është ballafaquar me të kaluarën gjenocidale.

/Shqip.com