Lajme

Osmani e pret në takim shefin e EULEX-it, bisedohet për zhvillimet në veri

Shefi i EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark gjatë ditës së sotme i ka shkuar në takim presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, me që rast është biseduar për zhvillimet e fundit që kanë ndodhur në veri të Kosovës.

Përveç tjerash në njoftimin e presidences theksohet se në takim është biseduar edhe për bashkëpunimin e institucioneve shtetërore me ato ndërkombëtare.

“Presidentja Osmani ka ritheksuar përkushtimin e institucioneve të Republikës për zbatimin e rendit dhe ligjit, si dhe për sigurimin e mbarëvajtjes dhe sigurisë publike në të gjithë territorin e vendit, në bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtar”, thuhet në njoftimin e presidencës.

Tutje bëhet e ditur se në takim Osmani e ka vlerësuar koordnimin e vazhdueshëm me EULEX-in.

Zhvillimet e fundit në veri të Kosovës kanë ngjallur reagime, për faktin e dorëheqjeve të vazhdueshme nga pozitat zyrtare të minoritetit serb.

Kujtojmë se ditën e djeshme, deputetët e Listës Serbe, kishin dorëzuar mandatet e tyre në Kuvendin e Kosovës.

Veprimi i tyre ishte në vazhdën e atyre që kanë filluar të shtunën me dorëzimin e uniformave nga zyrtarët policor në veri të Kosovës dhe kryetarëve të komunave serbe në pjesën veriore të vendit.



/Shqip.com