Lajme

Osmani e pret në takim kryediplomatin e Maqedonisë, flasin për dialogun dhe situatën në rajon

Bujar Osmani dhe Vjosa Osmani

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim ministrin e Jashtëm të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, njëherësh kryesues aktual i OSBE-së.

Në takim me ministrin Osmani, Presidentja diskutoi për bashkëpunimin e institucioneve të Republikës së Kosovës me OSBE-në përgjatë viteve, raportet bilaterale me Republikën e Maqedonisë së Veriut, si dhe për zhvillimet e fundit politike dhe të sigurisë në rajon dhe më gjerë.

Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova vazhdon të jetë në ballë të progresit në rajon dhe më gjerë sa i përket forcimit të sundimit të ligjit dhe demokracisë, si dhe promovimit të të drejtave të njeriut, të cilat tanimë po njihen ndërkombëtarisht.

Në temën e raporteve bilaterale me Republikën e Maqedonisë së Veriut, e para e shtetit, ka vlerësuar rritjen e bashkëpunimit në mes të dy vendeve tona, si dhe përkushtimin e ndërsjellë për thellimin e mëtejmë të tyre.

Gjithashtu, kryediplomati Bujar Osmani është takuar edhe me kryeministrin, Albin Kurti.

Kurti e falënderoi OSBE-në për kontributin që ka dhënë siç tha ai për demokratizimi në Kosovë, për sigurinë e vendit dhe të qytetarëve.

Takimi i mbajtur në Qeveri mes Kurtit dhe Osmanit

“Me këtë rast dua të ju falënderoj për kontributin që OSBE e ka dhënë për demokratizimi në Kosovë dhe për sigurinë e vendit tonë për të gjithë qytetarët, për të gjitha komunitete”, tha ai.

Përderisa Osmani, tha se për 20 vjet Kosova dhe OSBE-ja kanë krijuar shembuj të mirë të bashkëpunimit.

E që sipas tij, kanë ndikuar në demokratizimin e shoqërisë, qasjen ndaj komuniteteve, në promovimin e të drejtave individuale dhe ato kolektive.

“Faleminderit shumë për mundësin që të kemi këtë takim sot. Fillimisht ju falënderoj për bashkëpunimin e ngushtë që kemi pasur 20 vitet e fundit ndërmjet institucioneve të OSBE dhe institucioneve të Kosovës, që kanë krijuar aq shembuj të mirë të këtij bashkëpunimi e që drejtpërdrejt kanë konkdluduar në demokratizimin e shoqërisë, qasjen ndaj komuniteteve, në promovimin e të drejtave individuale dhe ato kolektive”, tha Osmani.

/Shqip.com