Lajme

Osmani dhe Kurti takojnë presidentin francez, diskutojnë për dialogun, akuzojnë Serbinë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministrin, Albin Kurti janë takuar në Pallatin Elysee me presidentin francez, Emmanuel Macron.

Osmani në një postim në Facebook ka thënë se me Macron kanë diskutuar për partneritetin në mes të dy shteteve, dinamizimin e dialogut me Serbinë, si dhe zhvillimet e fundit në Kosovë.

“Shprehëm përkushtimin e plotë të institucioneve të Kosovës për procesin e dialogut, të bazuar në ruajtjen e sovranitetit, rendit kushtetues, integritetit territorial dhe funksionalitetit të Kosovës, të cilat janë të paprekshme.

Diskutuam edhe veprimet destabilizuese të Serbisë, përmes fuqizimit të strukturave ilegale të saj në Kosovë, frikësimit të qytetarëve serbë dhe nxitjes së grupeve kriminale për ta cenuar rendin dhe ligjin në veri. Kosova mbetet e angazhuar, në koordinim me partnerët ndërkombëtar, për paqe, stabilitet dhe për të garantuar një mjedis të sigurt për të gjithë qytetarët e vendit. Ndërkaq, Presidenti Macron potencoi përkrahjen e tij për paqe, siguri dhe stabilitet në Kosovë dhe rajon”.

Tutje ajo tha se “në takim, ritheksuam rëndësinë e përfundimit të procesit të liberalizimit të vizave përgjatë presidencës çeke të Këshillit të BE-së, si dhe kërkuam vazhdimin e mbështetjes së Francës për integrimin euroatlantik të Kosovës dhe anëtarësimin në organizata tjera ndërkombëtare”.

/Shqip.com