Lajme

Osmani dhe Kurti nesër udhëtojnë për në SHBA për të marrë pjesë në varrimin e Albright

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pritet që gjatë ditës së marte të udhëtojnë për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Osmani dhe Kurti pritet që të shkojnë në SHBA me ftesë të familjes Albright, ku do të marrin pjesë në ceremoninë e varrimit të ish-sekretares amerikane, Madeleine, e cila vdiq muajin e kaluar.

Përveç pjesëmarrjes në këtë ceremoni, në kuadër të kësaj vizite në SHBA, Osmani dhe Kurti kanë paraparë edhe disa takime të tjera.

Madeleine Albright, ka vdekur më 23 mars në moshën 84-vjeçare.

Albright ishte gruaja e parë sekretare e shtetit të SHBA-së, e cila ndihmoi në drejtimin e politikës së jashtme perëndimore pas Luftës së Ftohtë.

Ajo vlerësohet për ndikimin e madh për të bindur Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe botën për krimet që po kryheshin në Kosovë nga ushtria dhe policia serbe.

Në qendër të Prishtinës, në vitin 2019 ishte zbuluar busti i saj në shenjë nderimi për rolin e Albright për çlirimin e Kosovës, 20 vjet më parë./Shqip.com